Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se është takuar të dielën me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin tha se kanë diskutuar Samitin e Komunitetit Politik Evropian, që do të mbahet në Britani në korrik.
Presidenca njoftoi se Osmani e Hargreaves kanë folur edhe për bashkëpunimin bilateral, e presidentja e ka falënderuar për mbështetjen në fushën e mbrojtjes.
“Në takim u diskutua po ashtu edhe për bashkëpunimin bilateral në mes të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar në fusha të ndryshme. Në veçanti, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve tanë britanikë në fushën e mbrojtjes, dhe tha se si Komandante Supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndihet krenare për arritjet e vazhdueshme të vajzave dhe djemve të FSK-së në akademitë më prestigjioze ushtarake në Mbretërinë e Bashkuar”, thuhet në komunikatë.
Me ambasadorin britanik, Osmani u tha se ka folur për temat e Samitit që do të mbahet në Blenheim Palace.
Osmani është takuar edhe me ambasadorin gjerman, Jorn Rhode, me të cilin tha se ka diskutuar për zhvillimet aktuale.
“Në këtë takim, Presidentja Osmani dhe ambasadori Rohde diskutuan për zhvillimet aktuale politike dhe të sigurisë në vend, si dhe për zhvillimet e fundit për sa i përket Procesit të Berlinit. Në takim, Presidentja Osmani dhe ambasadori Rohde diskutuan edhe tema të tjera të cilat kanë për qëllim thellimin e mëtejmë të raporteve bilaterale dhe bashkëpunimit midis Kosovës dhe Gjermanisë”, thuhet në komunikatën për media.