Arbëri

Osmani falënderon aleatët: 24 marsi, dita kur bota demokratike nuk heshti

Vjosa Osmani

Foto: Arkiv

Presidentja Vjosa Osmani në 26-vjetorin e nisjes së fushatës së bombardimeve të NATO-s, ka falënderuar aleatët që ndihmuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Osmani ka thënë se 24 marsi është dita kur bota demokratike nuk ka heshtur. 

“Dita kur aleatët e NATO-s u ngritën kundër së keqes, për ta mbrojtur një popull që po luftonte për ekzistencë, i rrezikuar nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Ishte dita kur ndaj errësirës triumfoi drita e shpresës. Nga flaka e sakrificës dhe lufta çlirimtare, lindi Kosova e lirë! 26 vjet më pas, Kosova ecën krenare, sovrane dhe e palëkundur drejt të ardhmes më të ndritur. Falënderim aleatëve që ndihmuan kauzën tonë për Kosovën shtet të lirë, të pavarur e sovran”, ka shkruar Osmani. 

Janë mbushur 26 vjet nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake e policore të Serbisë dhe Malit të Zi. 

Sulmet kishin nisur më 24 mars, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish-Jugosllavisë. 

Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Ai atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se ka urdhëruar Aleancën Atlantike të fillojë operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.