Zëvendësministrja e Kulturës, njëherit kandidate për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Daulina Osmani, ka deklaruar se programi i kësaj partie i parasheh dy projekte kryesore ku do të zhvillohet infrastruktura sportive.
Ajo ka deklaruar të enjten në “Zgjedhjet në KOHË” se është planifikuar që deri në 2028-n, Kosova t’i ketë mbi 20 stadiume në 18 komuna.
Ky projekt sipas saj, do të kushtojë 200 milionë euro, ndërsa projekti i dytë tha se do të jenë investimet sportive në kuadër të organizimit të Lojërave Mesdhetare.
“Janë dy projekte kyçe mbi të cilën do të zhvillohet infrastruktura sportive në programin e Lëvizjes Vetëvendosje. Është plani investiv pesëvjeçar i infrastrukturës së futbollit, deri në 2028 Kosova do t’i ketë mbi 20 stadiume në 18 komuna të Kosovës, program që tashmë është duke u zbatuar në bashkëpunim me UEFA, FIFA dhe FFK-së. 200 milionë euro për infrastrukturën. Në anën tjetër, i kemi edhe investimet sportive që do të bëhen në kuadër të Lojërave Mesdhetare”, ka thënë Osmani.
