“Fuqizimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare”, ka qenë një prej diskutimeve të presidentes Vjosa Osmani me homologun e saj kolumbian Gustavo Petro, gjatë qëndrimit të Osmanit atje.
Të mërkurën, Osmani ka njoftuar për pritje me nderime të larta ushtarake në Pallatin Presidencial në Bogota.
Sipas saj, “Kolumbia shfaqi një respekt të veçantë dhe dashamirësi për Kosovën dhe qytetarët tanë gjatë vizitës sime zyrtare në këtë shtet, që është gjithashtu vizita e parë e një kreu shteti nga Kosova në Kolumbi”.
“Diskutuam për mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme si siguria, turizmi, ekonomia e kultura, si dhe për fuqizimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Mirënjohëse pafund për mbështetjen për Kosovën!” ka shkruar Osmani në Facebook.
Osmani ka shkuar në Kolumbi për inaugurimin e Ambasadës në Bogota.
KOHA ka raportuar dy ditë më parë se për përfaqësimin e shtetit në këtë ceremoni ka pasur mungesë koordinimi mes Presidencës dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme.