Më 17 shkurt, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë bërë homazhe te varri i presidentit historik Ibrahim Rugova.
Ata shprehën mirënjohjen për rolin e tij historik në rrugën drejt pavarësisë së vendit.
Në këtë ceremoni u vendosën kurora lulesh në nderim të Rugovës.
Pas homazheve te varri i ish-presidentit, delegacioni vazhdoi vizitën tek varri i veprimtarit Adem Demaçi. Ata kujtuan kontributin e tij të jashtëzakonshëm për lirinë dhe të drejtat e popullit shqiptar, duke theksuar se sakrifica dhe përkushtimi i tij do të mbeten përherë në kujtesën kombëtare.
Gjatë ditës krerët institucional kanë bërë nderime dhe pranë Monumentit të të Pagjeturve dhe Memoriali i Fëmijëve të vrarë.
Për shënimin e ditëlindjes së 17 të shtetit të Kosovës janë organizuar një sërë aktivitetesh përfshirë homazhe e ngjarje kulturore./KP
Abdixhiku bën homazhe te varri i Rugovës për 17-vjetorin e Pavarësisë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Në këtë ceremoni morën pjesë edhe anëtarë tjerë të LDK-së, të cilët nderuan figurën dhe kontributin e Rugovës në shtetformimin e Kosovës.
Abdixhiku ka theksuar rëndësinë e vizionit të Rugovës për një Kosovë të pavarur dhe demokratike, duke vlerësuar rolin e tij historik në procesin e lirisë dhe shtetësisë së Kosovës, si dhe vizionin e tij për aleancën me perëndimin./KP

Osmani e Kurti bëjnë homazhe në Prekaz
Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri në largim, Albin Kurti, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.
Pas homazheve, krerët institucionalë kanë vendosur të mos u drejtohen mediave.
Homazhet në Prekaz u bënë në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Kurti e Osmani më herët bënë homazhe edhe te varri i presidentit historik, Ibrahim Rugova, ku shprehën mirënjohje për rolin e tij historik në rrugën drejt pavarësisë së vendit.
Homazhe në Prekaz kanë bërë edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ky i fundit ka thënë se duhet qenë “të rreshtuar që ta ruajmë pavarësinë dhe lirinë”.
Sipas tij, gabimet në rreshtim janë rrezik për themelet e shtetit.
“Nderojmë në Prekaz, nderojmë komandantin legjendar Adem Jashari, familjen Jashari, dhe me ketë nderojmë të gjithë të rënët për liri, të të gjithë brezave të kombit tonë shqiptar, njëkohësisht nga zemra iu uroj shqiptarëve kudo që janë por edhe të gjithë qytetarëve të Kosovës pavarësinë e Kosovës, njëkohësisht ju uroj edhe aleatëve tonë të sigurisë, urime, sepse ata kanë pjesë, hise në pavarësinë tonë. Duhet të jemi të rreshtuar që ta ruajmë pavarësinë dhe lirinë, gabimet në rreshtim janë rrezik edhe për themelet e shtetit tonë”, tha Haradinaj.
VIDEO: