Arbëri

Osmani e krahason Vuçiqin me Millosheviqin: Serbia nuk është e interesuar për stabilitet

Gjuhë të Millosheviqit e ka quajtur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, atë të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Osmani ka thënë se nuk pret asgjë nga një njeri që e përkrah Sllobodan Millosheviqin, kur u pyet për deklaratën fyese të Vuçiqit për kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e  Malit të Zi.

“Ne nuk duhet të befasohemi nga gjuha e ministrit të Millosheviqit. Vuçiq ka qenë ministër i propagandës gjatë luftërave në ish-Jugosllavi të shkaktuara nga ish-shefat e tij dhe tani më 2022 po e dëshmon logjikën e njëjtë të shekullit të kaluar. Akoma nuk e ka dënuar asnjë nga krimet e regjimit të Millosheviqit, përkundër vazhdon ta glorifikojë dhe ta shfajësojë për krimet e kryera në Kosovë. Akoma nuk i ka vendosur para drejtësisë kryesit e krimeve dhe masakrave të shumta, përfshirë gjenocidit ndaj popullatës në Kosovë, një nga këto masakra do ta përkujtojmë në Mitrovicë. Deri në mes të qershorit çdo ditë gati ka masakra të shumta ndaj popullatës civile. Një njeri që e vazhdon mendësinë e Millosheviqit, nuk mund të presim që të flasë me gjuhë të argumentuar”, tha Osmani.

Shtoi se përkundër fjalëve të tyre se e kanë zgjedhur rrugën evropiane, “me vepra janë në rrugën e Putinit”.

Osmani komentoi edhe armatimin e Serbisë. E quajti shqetësuese pasi tha se Serbia nuk është e interesuar për stabilitet.

“Armatimi i Serbisë nuk po ndodh vetëm tani, tani ka marrë përmasa shqetësuese por siç e dini në raport me Kinën dhe Rusinë janë duke e rritur armatimin e tyre minimum në 10 vjetët e fundit dhe kjo tregon se Serbia nuk është e interesuar për paqen dhe stabilitetin e rajonit tonë”.

Osmani ka thënë se po shqyrton edhe disa vizita në SHBA bashkë me kryeministrin. Tha se dy delegacione nga SHBA-ja do ta vizitojnë Kosovën.

Osmani i bëri këto komente gjatë vizitës në Komunën e Mitrovicës, të cilës i premtoi përkrahje.