Arbëri

Osmani e Konjufca dënojnë sulmin terrorist në Turqi

Turqi

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, kanë dënuar sulmin terrorist në Turqi, ku u vranë 5 persona e u plagosën 22 të tjerë. 

Osmani ka shkruar në rrjetin social X se terrorizmi dhe dhuna nuk kanë vend në botë.

“Qëndrojmë me aleatin tonë, Turqinë, pas sulmit terrorist sot në Ankara. Ngushëllimet tona më të thella për familjet dhe të dashurit e viktimave. Terrorizmi dhe dhuna nuk kanë vend në botë”, ka shkruar Osmani.

Konjufca ka shkuar në Facebook se “sulmi i sotshëm në Turqi është shokues dhe e dënojmë në mënyrën më të ashpër”. 

“Qëndrojmë pranë aleatit tonë, Turqisë, popullit turk dhe të gjithë atyre që humbën më të dashurit e tyre nga ky akt i papranueshëm terrorist. Uroj shërim sa më të shpejtë për të plagosurit dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjarët e viktimave!”, ka shkruar Konjufca.

Të mërkurën persona të armatosur sulmuan selinë e kompanisë shtetërore të hapësirës ajrore në afërsi të kryeqytetit turk, Ankara, duke i lënë të vrarë të paktën pesë dhe të plagosur 22 persona, në atë që autoritetet e kualifikuan si sulm terrorist.