Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim të enjten ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se në këtë takim Osmani ka thënë se pavarësisht ndryshimeve në administratën amerikane pas zgjedhjeve të fundit, aleanca e Kosovës me SHBA-në është ekzistenciale.
Ajo tutje ka thënë se shpreson që edhe në administratën Trump, Kosova do të mbetet në fokusin amerikan.
“Në raport me ndryshimet në administratën amerikane si rezultat i zgjedhjeve të fundit, Presidentja Osmani përsëriti urimet e Kosovës për Presidentin Trump dhe kabinetin e tij, teksa theksoi se aleanca e Kosovës me SHBA-të është ekzistenciale, ndaj shfaqi shpresën që edhe me administratën e re do të vazhdojë bashkëpunimi i shkëlqyeshëm dhe se Kosova edhe më tej do të mbetet në fokusin amerikan”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se në takim u diskutua për zhvillimet e fundit, situatën aktuale të sigurisë në vend, forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe ndryshimet në administratën amerikane pas zgjedhjeve të fundit.