Profesori i arkivistikës, Jusuf Osmani, ka njoftuar se në Arkivin e Kosovës tregohet që 1303 fëmijë janë regjistruar të vrarë në luftën e fundit.
Të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, Osmani ka thënë se dokumentet që gjenden në arkiv mund të shfrytëzohen si dëshmi për padi, vetëm nevojitet koordinim.
“1303 fëmijë janë regjistruar të vrarë në luftën e fundit në Kosovë. Për këtë e botova librin “Krimet serbe ndaj fëmijëve në Kosovë”, të cilin e përktheva në gjuhën angleze. Është obligim i joni që të gjitha krimet, gjenocidin, vrasjet, dhunimet, të gjitha t’i shënojmë dhe t’i dokumentojmë e t’ia prezantojmë opinionit ndërkombëtar. Ato dokumente që janë hulumtuar në periudhën 10-vjeçare të gjitha janë në arkiv të Kosovës dhe mund të shfrytëzohen si dëshmi për padi, sepse vetëm na duhet një koordinim, një plotësim të dhënash dhe të paraqesim padi”, ka thënë ai.
Osmani ka shtuar se Serbia është duke botuar shumë vepra, duke e paraqitur veten si viktimë, ndërsa Kosovën si agresor.
Andaj sipas tij, është punuar por jo mjaftueshëm në këtë drejtim.
“Fqinji ynë Serbia po boton shumë vepra në këtë drejtim. Agresori është shndërruar në viktimë, ndërsa viktima në agresor. Në këtë drejtim duhet të punojmë sa më shumë, është punuar por nuk mjafton. Ka forma e mënyra të ndryshme që të grumbullohen të dhënat, dokumentet, rrëfimet, fotografitë, incizimet që janë bërë por edhe këto dëshmitë materiale – shtëpitë e rrënuara, rrobat – e forma të ndryshme vetëm duhet të organizohemi sepse është punë institucionale jo e një personi”, është shprehur ai.