Arbëri

Osmani: Do të bëjmë çmos që shqiptarët kudo që jetojnë t’i kenë të drejtat e garantuara

osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, për nder të 28 nëntorit.

Nga aty, e para e shtetit ka theksuar rëndësinë e datës së 28 nëntorit për Kosovën, duke e lidhur atë me daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe ditëlindjen e komandantit Adem Jashari.

Osmani ka shtuar se Kosova do të bëjë çmos që shqiptarët kudo që jetojnë, t’i kenë të drejtat e tyre të garantuara.

“Kjo festë e cila është simbioze e disa datave historike, natyrisht shpallja e pavarësisë së Shqipërisë por njëkohësisht edhe ditëlindja e komandantit Legjendar Adem Jashari dhe dalja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilat na sjellin këtu në Prekaz, në vendin e qëndresës historike edhe njëherë për të treguar jo vetëm madhështinë dhe përjetësinë e sakrificës së Adem Jasharit dhe familjes Jashari, por për t’u betuar edhe një herë para varreve të tyre që do ta mbrojmë në mënyrë të pa kompromis çdo cep të Republikës sonë, do ta mbrojmë në mënyrë të pa kompromis lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe njëkohësisht do të bëjmë çmos që shqiptarët gjithë andej kudo që jetojnë ata, t’i kenë të drejtat e tyre të garantuara”, u shpreh Osmani. / EO

Kurti në Prekaz: 28 Nëntori, datë themeltare e historisë

4 muaj më parë / 28 nën 2024 16:58
Albin Kurti - Prekaz

Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se 28 Nëntori është datë themeltare e historisë së shqiptarëve kudo që janë.

Ai foli pasi bëri homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

“28 Nëntori ka nisur me Skënderbeun në Krujë, ka vazhduar me Ismail Qemalin në Vlorë, por së fundmi në luftën çlirimtare edhe me Adem Jasharin dhe Jasharët këtu në Prekaz, në këtë kryeqytet të kryengritjes shqiptare. 28 Nëntori është datë themeltare e historisë, e vetëdijes kolektive, e identitetit kombëtar të shqiptarëve ngado që janë”, tha Kurti.

Kurti përmendi edhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 28 nëntor të vitit 1997.

“Me këtë rast dua t’i uroj gjithë shqiptarët kudo që janë për festën e Pavarësisë së Shqipërisë, të flamurit kombëtar shqiptar duke përmendur përveç Prekazit, Vlorës edhe Krujës, gjithashtu edhe Llaushën, atëherë kur në vitin 1997 Rexhep Selimi, Mujë Kransiqi dhe Daut Haradinaj e shpallën botërisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e cila ishte bartëse e kryengritjes sonë dhe faktori kryesor që e bëri çlirimin e Kosovës në qershorin e vitit 1999 me ç’rast ne sivjet edhe festuam çerek shekulli nga çlirimi i atdheut tonë”, tha ai.

Para Prekazit, Kurti qëndroi në Vlorë për shënimin e përvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë./KSP