Presidentja Vjosa Osmani ka uruar Pashkët për të gjithë besimtarët katolikë, duke thënë se kjo festë shpërfaqë dashurinë, tolerancën dhe zemërgjerësinë, të cilat populli i kultivon në vazhdimësi.
Osmani ka shtuar se kjo festë personifikon sakrificën për njerëzimin.
“Pashkët ringjallin shpresën për ditë më të mira, drejt një të ardhmeje me besim e shpresë, ndaj uroj që secila familje të rrethohet nga dashuria, paqja dhe gëzimi! Festa e Pashkëve shpërfaqë dashurinë, tolerancën dhe zemërgjerësinë, të cilat populli ynë i kultivon në vazhdimësi. Le të na sjellin Pashkët shpresë, mirësi e begati për mbarë kombin shqiptar”, është shprehur ajo.
Edhe kryeministri Albin Kurti ka uruar Pashkët për të gjithë besimtarët katolikë.
Ai ka thënë se Pashkët janë shpresë për një të ardhme më të mirë.
“Paçi Pashkë të Bardha e t'Lume! Gëzuar për të gjithë besimtarët katolikë, ditën e madhe të ringjalljes së hyjit, ditën e përjetësisë! Pashkët janë shpresë e ogur për një të ardhme më të mirë, bashkë e në paqe. Le të na kujtojë kjo festë e shenjtë rëndësinë e harmonisë dhe të frymëzojë te ne kujdesin për tjetrin”, ka shkruar ai në Facebook.
Kurti ka shtuar se Pashkët mbeten simbol i vlerave më të larta humane dhe fuqisë njerëzore për një jetë më të mirë për të gjithë.