Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, BIRN Kosovo, kanë publikuar raportin rreth gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimit gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.
Në Ditën Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav tha se dezinformimi është më shumë se thjeshtë përmbajtje mashtruese. Ai shtoi se dezinformimi përbënë një kërcënim të drejtpërdrejtë për vetë thelbin e demokracisë.
Orav tha se çdo individ mund të bëhet objektiv i manipulimit të informacionit.
Ndër të tjera, Orav potencoi se raporti në fjalë zbulon se narrativet dezinformuese që u përhapën jo vetëm nga aktorët politikë vendorë, por edhe nga forca të jashtme, me qëllimin për të destabilizuar besimin e publikut në procesin zgjedhor të Kosovës.
Orav tha se Bashkimi Evropian mbetet thellësisht i përkushtuar në mbështetjen e lirisë së medias, gazetarisë së bazuar në fakte dhe përpjekjeve për të luftuar dezinformimin.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se dezinformimi nuk është vetëm sfidë, por rrezik real për shtetin. Ajo shtoi se gazetaria qytetare e ndihmuar nga teknologjia dhe inteligjenca artificiale e kanë bërë verifikimin e fakteve më sfidues.
Sipas saj, nuk duhet të lejohet manipulimi, derisa potencoi se pa të vërtetën “nuk mund të kemi demokraci të mirëfilltë dhe shoqëri të suksesshme”.
"“Në epokën në të cilën po jetojmë, lajmi i rremë mund të përhapet më shpejt sesa e vërteta. Prandaj, kjo nuk është vetëm një sfidë, por një rrezik real edhe për stabilitetin e shtetit tonë, për integritetin tonë si shtet, për demokracinë por mbi të gjitha për sigurinë kombëtare. Pikërisht për këtë arsye, kontrollimi i fakteve duhet të bëhet një standard i përditshëm, të cilin e zbaton secili prej nesh... Ne nuk duhet të lejojmë të jemi të manipuluar, ngase pa të vërtetën, asnjëherë nuk mund të kemi demokraci të mirëfilltë e shoqëri të suksesshme”, ka thënë ajo.
Osmani theksoi se Serbia dhe Rusia kanë promovuar dezinformimin për ta minuar procesin e demokracisë në Kosovë dhe nxitjen e tensioneve në rajon.
“Akterë të huaj, veçanërisht Rusia dhe Serbia, siç e dini kanë promovuar aktivisht dezinformimin dhe narrativat përçarëse për ta minuar besueshmërinë në procese demokratike në Kosovë. Media të mbështetura nga Rusia, si Sputnik, RT etj, kanë luajtur një rol në përhapjen e dezinformatave mbi integritetin zgjedhor të Kosovës dhe në nxitjen e tensioneve në rajonin tonë. Prandaj, na duhet vigjilencë jo vetëm shtetërore, por edhe vigjilencë gjithëshoqërore. Ne të gjithë duhet të jemi gardianë të verifikimit të fakteve. Nuk duhet të reshtim së verifikuari. Verifikim, verifikim dhe konfirmim i verifikimit, në mënyrë që të mos biem pre e këtyre tendencave dashakeqe në asnjë situatë”, ka theksuar ajo.
Ndërkaq, gjetjet kryesore të raportit rreth gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimit gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë i shpalosi Kreshnik Gashi nga BIRN Kosovo.
Ai thekson se zgjedhjet në Kosovë u karakterizuan me gjuhë të urrejtjes dhe dezinformata nga Kremlini dhe Serbia.
Po ashtu, Gashi tha se pati gjuhë të urrejtjes dhe dehumanizim për kundërshtarët politik brenda vendit.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit sipas këtij raporti pati përdorim të lartë të rrjeteve sociale në multiplifikimin e gjuhës së urrejtjes dhe narrativave dezinformiese.
Rritje të përdorimit të inteligjencës artificiale në dezinformim, prani të influencës kineze në artikuj të sponzorizuar e transparencë e ulët e financimit të fushatës, janë ndër karakteristikat e zgjedhjeve parlamentare, sipas Gashit./Kosovapress