Arbëri

OSBE për mbylljen e strukturave paralele: Mund të ketë ndikim negativ në komunitetet joshumicë

osbe

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka thënë se po i vëzhgon me shqetësim veprimet e fundit ndaj institucioneve të drejtuara nga Beogradi, teksa iu ka referuar mbylljes së strukturave paralele të mërkurën në Kosovë. 

Sipas këtij misioni, këto veprime mund të kenë ndikim negativ në komunitetet joshumicë në vend.

“Pa alternativa të qëndrueshme dhe të pranuara, mbyllja e këtyre institucioneve do të ndikojë më tej në qasjen në shërbime të ndryshme thelbësore për anëtarë të ndryshëm të komunitetit”, thuhet në reagim. 

Tutje nga ky institucion thuhet se sigurimi i mirëqenies së banorëve, veçanërisht atyre më të cenueshëm duhet të mbetet prioritet. 

Më tej kërkohet angazhim konstruktiv. 

Policia e Kosovës të mërkurën ka mbyllur komunat paralele serbe në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë-Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skenderaj si dhe posta e zyra tatimore ilegale.