Arbëri

Organizatat për mjedisin të zhgënjyera me Kurtin: Po qëndron i heshtur për shkeljet e Aliut

Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu

Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu

Organizatat “Pishtarët”, “Gjethi” dhe “EcoZ”, u kanë dërguar letër deputetëve të Kuvendit me rastin e Ditës së Tokës të hënën, më 22 prill, duke e akuzuar ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu, për aprovim të Udhëzimit Administrativ me anë të së cilit, sipas tyre, ka përjashtuar pjesëmarrjen qytetare nga vendimet që i prekin drejtpërdrejt ata, siç thuhet, duke i dhënë vetes dhe operatorëve privatë autoritet të plotë që të vendosin për shfrytëzimin e resurseve natyrore.

Sipas këtyre organizatave, kryeministri Albin Kurti po hesht ndaj thirrjes së 50 organizatave dhe shoqërisë civile kundër këtij udhëzimi, për të cilin thuhet se e shkel nenin 52 të Kushtetutës dhe direktivat e Bashkimit Evropian që Kosova i ka për detyrë t’i transpozojë në mënyrë të plotë.

“Në vitin 2022, kemi kërkuar zyrtarisht anulimin e tij edhe nga Zyra e Kryeministrit e cila ka bërë analizën nga zyra ligjore ku ka udhëzuar Ministrinë e Mjedisit që të bëjë plotësimin për të përfshirë pjesëmarrjen publike. Por Ministri Aliu injoroi edhe udhëzimet e Zyrës së Kryeministrit. Së fundmi, ne me përkrahjen e 50 organizatave të shoqërisë civile në Kosovë dhe organizatës së mbrojtjes së lumenjve në Austri, Riverwatch iu kemi drejtuar me letër të hapur edhe Kryeministrit të vendit, z. Albin Kurti, me kërkesë të qartë: Anulimin e menjëhershëm të Udhëzimit Administrativ për Leje Mjedisore dhe sigurimin e plotësimit të tij menjëherë, sipas Kushtetutës dhe Direktivave të BE-së, për pjesëmarrje publike në procedurat e dhënies së lejeve mjedisore”, thuhet në njoftimin e tyre.

Tutje thuhet se deputetëve u është kërkuar që ta ngrenë zërin në Kuvend dhe përmes mekanizmave ta ndryshojnë udhëzimin administrativ në fjalë. 

“Ministri Aliu nuk duhet të lejohet të vazhdoj të jetë i vetmi autoritet të vendos për shfrytëzimin e resurseve natyrore nga te cilat varet jetesa jonë por edhe për faktin se toka dhe uji i Kosovës janë pasuri e përbashkët e jona që i kemi mbrojtur me shekuj me gjak dhe sakrifica të dhimbshme”, thuhet më tej në komunikatë. 

Në fillim të këtij muaji, ministri Aliu është paditur për dhënien e lejes mjedisore kompanisë “Kelkos Energy” për hidrocentralin “Lumbardhi” në Deçan.

Në komunikatën e organizatave paditëse ‘Pishtarët’, ‘Gjethi’ dhe ‘EcoZ’, thuhet se ministri Liburn Aliu është takuar fshehurazi me kompaninë në fjalë, në mënyrë që të pajisë këtë kompani me leje mjedisore.

“Është mësuar se një vit më parë, ministri i Mjedisit Liburn Aliu ka mbajtur takime të fshehta me kompaninë Kelkos dhe pas takimeve, kjo kompani ka marrë leje ujore dhe mjedisore për hidrocentralin “Lumbardhi” në Deçan. Kelkos asnjëherë nuk ka arritur të pajiset me këtë leje dhe ka operuar pa të që nga vitit 2009. Aktualisht kompania Kelkos vepron lirshëm me të gjitha hidrocentralet pavarësisht dëmeve shumë milionëshe dhe të parikuperueshme që vazhdon t’ia shkaktojë ambientit në Kosovë” – thuhej në komunikatën e organizatave që e kanë paditur.

Por Aliu kishe mohuar akuzat duke thënë se leja për hidrocentralin “Lumbardhi 1” nuk është dhënë fshehurazi.

“Së pari, pretendimet që unë si Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës lejoj dhënie të lejes fshehurazi janë të pavërteta dhe të paqëndrueshme. Qoftë procesi i lejeve, takimi me palët apo çfarëdo procesi tjetër është publik dhe i dokumentuar. Për rastin konkret ne në Ministri kemi pasur takime me kompaninë ‘Kelkos’. Takimi ka qenë takim zyrtar, me të pranishëm zyrtarët përkatës të Ministrisë, brenda normave protokollare duke pritur kompaninë ‘Kelkos’ si palë që kërkonin vëmendje rreth dy hidrocentraleve që nuk janë pajisur me leje mjedisore, e për të cilat së fundi kompania në fjalë ka dërguar Kosovën në arbitrazh. Kjo është si rrjedhojë e një varg veprimesh nga Qeveritë e kaluara, temë të cilën po e trajtojnë organet e tjera dhe jemi duke e trajtuar edhe ne brenda Ministrisë”, thuhej në reagimin e Aliut.