Si skandaloz e vlerësuan në ORCA vendimin e Këshillit të Etikës të UP-së, që konstatoi se doktorata e profesorit të mjekësisë, Ilir Tolaj nuk përbën plagjiaturë. Në organizatën që e pati bërë denoncimin për plagjiaturë e kritikuan përbërjen e ekspertëve të përzgjedhur për vlerësimin e doktoratës, tek thanë se janë kolegë me kandidatin dhe se kanë qenë edhe bashkautorë me të në punime tjera
Përfaqësues të Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim, ORCA, e kanë quajtur të mërkurën skandaloz vendimin e Këshillit të Etikës së Universitetit të Prishtinës se doktorata e profesorit dhe ish-kandidatit për rektor, Ilir Tolaj, nuk është plagjiaturë dhe i përmbush standardet e kërkuara.
Rron Gjinovci, drejtor i organizatës ORCA, e ka kritikuar përbërjen e ekspertëve të përzgjedhur për vlerësimin e doktoratës, pas denoncimit për plagjiaturë nga kjo organizatë.
Ai tha se dy ekspertët, deputeti i AAK-së Shemsedin Dreshaj dhe Hamdi Ramadani, kanë qenë bashkautorë në punimet tjera me Tolajn dhe se nuk janë ekspertë të fushës.
“Natyrisht, që këta të dy nuk do të kishin konstatuar që Ilir Tolaj ka bërë plagjiaturë, sepse kjo i bie që cenohet edhe kredibiliteti i tyre, sepse janë bashkautorë me një plagjiator. Pra, ky është konflikti më i pastër i interesit. Ky është definicioni i konfliktit të interesit, i cili, siç duket, Këshilli i Etikës i ka injoruar komplet dhe ka vazhduar t’i quajë këta ekspertë”, ka thënë Gjinovci.
Deshaj e Ramadani kanë konstatuar se të gjithë paragrafët e doktoratës patën referenca valide dhe se pjesët e kontestuara nuk janë pjesë kryesore e punimit.
Por Gjinovci ka thënë se doktorata e 2004-tës e profesorit Tolaj është e njëjtë me një punim të huaj, i kryer në vitin 2000.
“Mundeni me e pa me sy të lirë pa kurrfarë dije, pa kurrfarë nevoje për doktoratë, as kurrgjë tjetër që ky tekst dhe teksti tjetër janë të njëjtë. Pra, krejt çka duhet me bë, është me ditë anglishten”, ka insistuar Gjinovci.
Për këtë vendim, ai paralajmëroi se do të ndërmarrë hapa të mëtutjeshëm.
Lidhur me akuzat nga ORCA, KOHA adresoi pyetje në Këshillin e Etikës së UP-së, por nuk mori përgjigje. Teksa Dreshaj e Ramadani thanë se nuk duan të merren me pretendimet e Gjinovcit, Tolaj nuk iu përgjigj thirrjeve të KOHËS.