Arbëri

Orav: Përvoja e Sorensenit do të ndihmojë drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi

Orav - Sorensen

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka takuar të dërguarin e posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, për t’i dhënë mbështetje në misionin e tij të ri. 

Orav është shprehur me besim se eksperienca e Sorensenit do të ketë ndikim pozitiv në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Jam i bindur se përvoja e tij e gjerë diplomatike do të ndihmojë në avancimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Orav në platformën X.

Sorensen ka ushtruar disa detyra, qysh nga periudha e administratës së UNMIK-ut në Kosovë, në shtyllën që e ka udhëhequr BE-ja e deri te roli i përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për Bosnjë e Hercegovinë dhe shef i zyrës së BE-së në Sarajevë.  Ka qenë edhe shefi zyrës së BE-së në Shkup si dhe i dërguar i posaçëm i përfaqësuesit të lartë të BE-së për Serbi.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri Kaja Kallas kishte vendosur në janar që Sorensen të jetë përfaqësues i posaçëm për dialog. Më pas këtë e kishin mbështetur vendet anëtare në Këshill në nivel të ambasadorëve ndërsa kjo është miratuar më 27 janar edhe formalisht pa diskutim nga ana e ministrave të jashtëm të BE-së.

Sorensen pasoi Miroslav Lajçakun, i cili ka pasur në titullin e tij përveç dialogut edhe “çështjet tjera rajonale”.

Sorensen nisi punën e tij më 1 shkurt 2025, me një mandat fillestar prej 13 muajsh