Arbëri

Opozita vija të kuqe VV-së, përjashtojnë mundësinë e koalicionit

Liderët opozitarë në Kosovë

Liderët opozitarë në Kosovë

Partitë opozitare i kanë vendosur “vija të kuqe” Lëvizjes Vetëvendosje. Askush prej opozitës parlamentare nuk dëshiron që të bashkëpunojë me partinë e Albin Kurtit për qeverinë e ardhshme, raportoi të dielën EO.

Deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, kanë thënë se preferencë e tyre është të shkojnë në zgjedhje të vetme, teksa janë shprehur edhe pro bllokut opozitar.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashiq Qalaj, ka thënë se kjo parti preferon që në zgjedhje të shkojë e vetme. Thotë se prioritet është që vendi të shkojë sa më shpejt në zgjedhje për shkak të keqqeverisjes.

“Ju e dini se kryetari i partisë z.Krasniqi dhe të gjitha strukturat e partisë, duke përfshirë deputetët dhe anëtarët e Kryesisë, janë duke bërë vazhdimisht thirrje për zgjedhje. Për ne është prioritet që të shkojmë sa më shpejt në zgjedhje për shkak të udhëheqjes së keqe të qeverisë aktuale dhe synojmë që me kandidatin që e kemi bërë zyrtar tash për kryeministër dhe me angazhime gjithëkombëtare të Partisë Demokratike ne t’i fitojmë zgjedhjet, sa më shpejt që mbahen zgjedhjet është e mirë për shkak se e kemi një degradim në komplet jetën e qytetarëve. Sa i përket koalicioneve, Partia Demokratike e Kosovës do të dalë e vetme dhe do të synojë që ta marrë Qeverinë”, thotë Qalaj.

Kundër një koalicioni me Vetëvendosjen është shprehur edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, ka thënë se kanë propozuar që të bëjnë një bllok opozitar dhe se interes e kanë që të bëjnë koalicion me partitë opozitare.

“Nuk do të bëjmë koalicion parazgjedhor. Kemi bërë disa koalicione parazgjedhore me ata që kemi menduar që duhet bërë. Kemi bërë me Nismën Socialdemokrate, kemi bërë me një grup të Intelektualëve ‘Evropa 2030’ , kemi bërë me një parti konservatore, jemi të hapur edhe për partitë që janë tash në opozitë, nuk do ketë vija të kuqe”, u shpreh ajo.

Ndërsa nga Lidhja Demokratike e Kosovës, krahas bashkëpunimit me partinë në pushtet, preferojnë që elektoratit t’i drejtohen të vetëm. Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ka thënë se kjo parti do të jetë fituese e zgjedhjeve nacionale, siç ndodhi në zgjedhjet lokale. Shprehet optimiste se kryeministër i ardhshëm do të jetë Lumir Abdixhiku.

“Ende nuk kemi folur për koalicione sepse LDK-ja do të dalë e para siç ka dalë në zgjedhjet lokale dhe nuk kemi diskutuar asgjë sepse do të dalim të parët dhe gjithashtu do të dalim për arsye se ju e dini që 6 muaj pas Qeverisë që ka fituar me 51 për qind, kemi dalë partia e parë në zgjedhjet lokale. Jemi të përgatitur për zgjedhje, kemi bërë edhe planprogram të LDK-së. Më herët diçka që partia në pushtet nuk e ka pasur të gatshëm edhe tash që është në qeverisje. Neve na ka marrë kohë dy vjet që të përgatitet një planprogram që ka 100 projekte në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës, shpresoj se LDK-ja do jetë e para, pra kryeministri i ardhshëm do të jetë Lumir Abdixhiku”, u shpreh Krasniqi. /EO