Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme për procesin e përllogaritjes dhe shlyerjen e borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit. Kanë munguar deputetët e pushtetit.

Tahiri: Strukturat parapolitike po vendosin për paratë e taksapaguesve

6 muaj më parë / 16 tet 2024 13:01 Nga: Marigona Brahimi
Besnik Tahiri, AAK

Photo: Alban Bujari

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka deklaruar se strukturat joformale parapolitike janë vendimmarrëse në Qeverinë Kurti, duke u shprehur se ato po vendosin për paratë e taksapaguesve të Kosovës.

Sipas Tahirit, nëpërmjet pazareve po mundohet që paraja publike dhe korrupsioni të instalohet si e mirë publike.

“Të gjitha veprimet e njëpasnjëshme janë duke shpërfaqur që kjo Qeveri ka ardhur në pushtet me mashtrim. Kosova ka ardhur në një stad ku struktura joformale po diskutojnë se ku duhet të ndalet rryma e kur jo. Është e papranueshme që parapolitika të ketë në dorë secilën ministri e ndërmarrje publike”, është shprehur deputeti i AAK-së.

Sipas Tahirit, është me rëndësi të diskutohet për shlyerjen e borxheve të ambalazhuesve.

“Nuk duhet të jetë asnjë paqartësi se mbi çfarë baze është përllogaritur e shlyer borxhi. Ne jemi në muajt e fundit të këtij Kuvend”, ka thënë ai, duke akuzuar pushtetin se s’po del të ballafaqohet në Kuvendit pasi “s’ka argumente”.

“Kjo Qeveri do të ikë më 9 shkurt për shkak se e ka tradhtuar besimin qytetar”, ka thënë ai.

Deputeti Haki Abazi ka deklaruar se veprimet e zyrtares së Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihalit, nuk janë të rëndësishme.

“Më kujtohet në votimet e fundit të deputetëve për Bord të RTK-së me urdhër të Dejona Mihalit, LVV i kishte dhënë 30 poena kandidatit serb dhe 5 poena Shukrije Ramës. Nuk janë të rastësishme këto veprime. Nuk di se çfarë tjetër duhet të ndodhë për të parë që vendimmarrja ka dalë jashtë institucioneve. I bëj thirrje prokurorisë ta shohë nga afër dhe të marrë në pyetje prapë Dejona Mihalin”, ka deklaruar Abazi.

 

Zemaj për pushtetin: Premtuan parajsë, por varfëruan qytetarët

6 muaj më parë / 16 tet 2024 12:56 Nga: Marigona Brahimi
Zemaj

Photo: Alban Bujari

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se Qeveria e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje fitoi zgjedhjet me premtimin se do ta bënin Kosovën parajsë, por sipas tij, përfunduan duke varfëruar qytetarëve.

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të mërkurën, Zemaj ka thënë se skandalet e fundit ku përfshihen eksponentë të partisë në pushtet janë strukturë e organizuar kriminale.

“Ky pushtet i dështuar po i ikë përgjegjësisë që duhet të japë para qytetarit që i premtoi qeverisje me duar të pastra. Kjo qeveri veç duar të pastra nuk ka. I ka zhytur thellë në korrupsion. Hafizi nuk është ndonjë person i parëndësishëm. Ai është i afërt dhe shumë i afërt me Kurtin, ndërsa Dejona është vetë Kurti. Këta njerëz janë shkurt e shqip struktura kriminale. Si ka mundësi Naser Hafizi me pagë pak mbi 700 euro të blejë katër banesa brenda një viti e të ketë qarkullim mbi 400 mijë euro. Pse një person pa asnjë pozitë në Qeveri vendos kur duhet të ndalet rryma. Kësaj nuk mund t’i themi gjë tjetër veçse skemë e organizuar kriminale. Këta njerëz premtuan parajsë dhe përfunduan duke i varfëruar qytetarët”, ka thënë Zemaj.

Ai u shpreh se LDK-ja do t’i përdorë të gjitha mekanizmat institucionalë “për t’i zbardhur te gjitha rastet e korrupsionit të kësaj qeverie”.

Tahiri: Mesazhet e Dejona Mihalit nxjerrin në pah kriminalitetin në vend

6 muaj më parë / 16 tet 2024 12:49 Nga: Marigona Brahimi
Shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri

Photo: Alban Bujari

Shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se mesazhet e publikuara të koordinatores për komitete të Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali, dhe ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, nxjerri në pah kriminalitetin, që sipas tij, ka kapluar vendin tonë.

Portali “Nacionale” ditë më herët ka publikuar disa mesazhe mes Mihalit dhe Krasniqit. Në mesazhet në rrjetin social “Signal”, Mihali e fton në takim ish-kryshefin e KEK-ut në selinë e Vetëvendosjes, por i thotë të vendosë kapelë.

E Tahiri ka thënë se është e lehtë të fshihesh pas një kapele, por “do të dalin të gjitha”. Deputeti i PDK-së tutje ka pasur kritika për RTK-në, e cila nuk po e transmeton seancën e jashtëzakonshme, duke thënë se po tentohet të shuhet zëri opozitar.

“Para se të flas për kapelat, po e ngre një çështje tjetër. Vendosa ta shoh a është duke e transmetuar RTK-ja live këtë seancë. Por RTK-ja qenka duke e transmetuar një konferencë të kryeministrit Kurti me viktimat e dhunës seksuale, kjo nuk ka ndodhur kurrë. Ky është krim dhe kjo është tendencë me e mbyt zërin opozitar, ata që i denoncojnë krimet. Me ju fol në Kuvend këtyre kapelave është si me fol për deputetët e VV-së. Këta kanë vendosur të jenë si këto kapela. Këta janë të shkretë. Përmes këtyre kapelave të zeza që na i nxori në pah Dejona, këta janë munduar të mbulojnë shumë krime. Janë munduar të mbulojnë krimin e faljes së borxheve që shkon deri në 20 milionë euro… këta kanë vendosur ta mbulojnë krimin edhe në rezerva shtetërore. Më së lehti është ta vendosësh një kapele dhe të fshihesh por do të dalin të gjitha”, ka thënë ai.

Ndaj kësaj çështjeje ka reaguar edhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, duke e konsideruar shkelje të fjalës së lirë. Ai ka thënë se në orën 14:30 do t’i dorëzojnë fjalimet e tyre në zyrat e RTK-së.

Tahiri ka paralajmëruar pushtetin se 9 shkurti (dita e zgjedhjeve) do t’ua heqë kapelën.

“Do të jetë situatë e re në vendin tonë”, ka shtuar ai.

“Mesazhet e Dejona Mihalit e nxjerrin në pah më së miri kriminalitetin e vendit tonë. Në dorë të kujt e kemi sistemin energjetik, kush vendose kur me u ble rryma, kur me u ndalë e kur me u lëshu. Kam përshtypjen se nuk e dimë saktë se kush po na udhëheqë. Ai Naser Hafizi del që për një vit i ka qarkulluar 400 mijë euro. Paramendo sa naser hafiza i kemi ne që nuk i dimë. Kriminaliteti duket te jetë përtej asaj që po e shohim”, ka përfunduar Tahiri.

Shala: Qeveria po ikën nga përgjegjësia, kërkojmë transparencë

6 muaj më parë / 16 tet 2024 12:40 Nga: Marigona Brahimi
Ferat Shala

Photo: Alban Bujari

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka deklaruar se partia në pushtet po e saboton punën e Kuvendit me mospjesëmarrje në seancën e ftuar për çështjen e borxheve të ambalazhuesve të ujit.

Ai ka thënë të mërkurën se drejtësia dhe institucionet shtetërore kanë marrë hapa konkretë për zbardhjen e kësaj afere, duke thënë se kërkojnë transparencë.

“Më 23 prill të këtij viti kemi kërkuar që të themelohet një komision hetimor për çështjen e borxheve të ambalazhuesve të ujit, e duke iu shmangur kësaj, mazhoranca na sjell deri në këtë moment. Përsëri kemi sabotim dhe ikje nga përgjegjësia. Drejtësia dhe institucionet shtetërore kanë marrë hapa konkretë për zbardhjen e kësaj afere. Arsyeja e kërkesës sonë është transparenca dhe e vërteta. Kërkojmë nga Qeveria t’i marrë të mirëqena dhe si demokratike e ligjore kërkesat tona”, ka thënë Shala.

Në fillim të seancës deputetët mbajtën një minutë heshtje për vdekjen e gjeneralit të parë të KFOR-it, Mike Jackson.