Projektligji i miratuar nga Qeveria javën e shkuar do të shqyrtohet në Kuvend të hënën e ardhshme.
Caktimi i seancës u bë në mbledhjen e Kryesisë, pas së cilës shefat e grupeve parlamentare nga opozita shprehën kritika për projeksionin buxhetor të pushtetit.
“Sido që të shkojë ky buxhet, do të jetë një buxhet jetëshkurtër se qeveria e re pas zgjedhjeve të 9 shkurtit duhet ta rishikojë dhe të japë një buxhet zhvillimor, të japë një buxhet ku rriten pagat, rritet mirëqenia dhe rritet ekonomia e Kosovës. Ky që ka ardhur tash nuk përfaqëson asnjërën nga këto pika”, ka deklaruar shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.
E, Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se buxheti i kësaj qeverie e konfirmon mbytjen e zhvillimit ekonomik.
“Buxheti i kësaj qeverie është buxheti i cili e konfirmon mbytjen e zhvillimit ekonomik. Është buxhet i cili ua ka varrosur shpresën 80 mijë njerëzve që punojnë në shtetin e Kosovës për një pagë të dinjitetshme, është buxhet i cili realisht nuk ka asnjë projekt kapital të rëndësishëm dhe është buxhet i cili nga ne do të kundërshtohet fuqishëm dhe është buxhet që duhet të rishikohet në mars të vitit të ardhshëm”.
Mungesën e votave nga opozita pushteti nuk e ka brengë. Shefja e deputetëve të Vetëvendosjes tha se një veprim i tillë i opozitës nuk është asgjë e re.
“Ne po e kemi shumicën parlamentare, siç e keni parë edhe javën e kaluar në votimet e thjeshta, arrijmë të miratojmë ligje dhe vendime të tjera ndërsa për opozitën s’kam çfarë të them, janë përcaktuar dhe janë vendosur në një rrugë tjetër, është çështje e vendimmarrjes së tyre”, ka thënë Mimoza Kusari-Lila.
Pas mbledhjes së Kryesisë të hënën u fol edhe për Asociacionin, draftstatutit të të cilit Qeveria e Kosovës ia dha epitetin e non paper-it javën që shkoi.
E qasja e Qeverisë për këtë çështjeje, sipas opozitës, është duke e dëmtuar pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Njëherë thonë e pranojmë, herën tjetër nuk e pranojmë, herën tjetër thonë qitna ta nënshkruajmë pastaj thonë t`i nënshkruajmë dyja, pastaj bëhet obligim i BE-së e thonë jo po tash na nuk e pranojmë. Po bëjnë lojëra të cilat e dëmtojnë në vazhdimësi Kosovën si rezultat i papjekurisë politike, si rezultat i paaftësisë diplomatike dhe si rezultat i mendjemadhësisë në sjellje duke menduar që është një superfuqi e cila mund të vendosë në arenën ndërkombëtare”, u shpreh Gashi.
“Asociacioni ka mujtë me thanë është non paper apo jo, mirëpo është pranuar nga Qeveria dhe na e kanë lanë te dera. Kushdo qe vjen kjo qeveri ia ka lanë te dera Marrëveshjen e Brukselit, Marrëveshjen e Ohrit dhe draftstatutin e Asociacionit”, ka thënë tutje Tahiri i AAK-së.
Buxheti për vitin e ardhshëm pritet të jetë 3 miliardë e 608 milionë euro apo 9 për qind më i madh se i sivjetmi.