Në mungesë kuorumi, shtyhet seanca e Kuvendit
(14:20) - Në mungesë kuorumi, nuk është vazhduar seanca plenare. Të pranishëm në sallën alternative ku është mbajtur seanca e sotme, kanë qenë vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje. Paraprakisht, deputetët e partive opozitare kanë lëshuar sallën plenare meqë nuk është mbështetur kërkesa për tërheqjen e Projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Komisionit të Pavarur të Mediave dhe për Zyrtarët Publik.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se kjo seancë do të vazhdohet javën e ardhshme.
“Siç duket nuk do ta kemi kuorumin për sot, kështu që këtë seancë e vazhdojmë javën e ardhshme”, ka thënë kryeparlamentari Konjufca.
Në seancën e sotme plenare ishin paraparë mbi 30 pika të rendit të ditës
Projektligjet për Komisionin e Pavarur të Mediave, për zyrtarët publikë dhe për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), nuk morën shumicën për t’u tërhequr nga votimi, siç kërkuan deputetët opozitarë.
50 deputetë ishin kundër tërheqjes nga rendi për projektligjin për KPM-në, 25 për e 3 abstenuan, e kundër tërheqjes nga rendi për zyrtarët publikë votuan 50 deputetë, 25 për e 3 abstenime.
Pas votimit, deputetët opozitarë lëshuan sallën alternative ku po mbahet seanca e sotme.
Kuvendi më pas shkoi në pauzë deri në 13:30.
