Partitë opozitare në Kuvend e kanë kundërshtuar emërimin e shtatë anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore. Anëtarët e propozuar për këtë këshill janë Artan Krasniqi, Fahri Sheqiri, Besarta Reçica, Enis Salla, Zanita Halimi, Arianit Buçinca dhe Sllaxhana Boshkoviq.
Deputetja e LDK-së, Vlora Dumosh, ka thënë se janë zgjedhur militantë partiakë dhe se procesi duhet të kthehet në pikën zero. Ka shtuar se Komisioni për Arsim pavarësisht se ka pranuar ankesa nga kandidatët, ato nuk janë shqyrtuar.
“Shumica e kandidatëve janë sociologë, etnologë por jo edhe historianë, që ka qenë një kriteret e konkursit. Po ashtu janë përzgjedhur militantët partiakë siç është rasti Fahri Sheqiri nga qendra e LVV në Bardhosh. Prandaj ne mendojmë që procesi duhet të kthehet në pikën zero, po ashtu si komision kemi pranuar tri ankesa nga kandidatët dhe asnjë ankesë nuk është shqyrtuar kështu që kjo është një shkelje e cila është bërë përgjatë këtij konkursi”, ka thënë ajo.
Deputeti tjetër i kësaj partie, Armend Zemaj, ka thënë se është i papranueshëm miratimi i këtyre emrave.
“Është e pafalshme që ky institucion që duhet të jetë i pavarur jo vetëm që dëmtohet në aspektin profesional duke larguar njerëz me grada shkencore, tentohet të rehabilitohen militantë politikë. Ky propozim duhet të tërhiqet qoftë në komision qoftë në përgjithësi. Të tentohet të kalohet në këtë formë me njerëz që nuk i përkasin trashëgimisë është e papranueshme”.
E, deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, është shprehur se grupi i tij parlamentar nuk do të marrë pjesë në votim.
“Nuk mundet as profesori Gola e askush prej deputetëve ta ndalë procesin e ankimimit kur i është bërë e padrejtë kandidatëve. Ne nuk do të marrim pjesë në këtë proces votimi”.
Ndërkaq, deputeti i Vetëvendosjes, Ardian Gola, është shprehur se është mirë t’u jepet shansi disa të rinjve.
“Kjo përbërje është vullnet politik i Komisionit. Më 2021 kemi zgjedhur përbërjen aktuale këtë që është në largim. Kjo përbërje e reflekton profesionalizmin e komisionit por asnjë nuk mund të garantojmë që zgjedhja ka qenë profesionale. Është e vërtetë që disa nuk janë zgjedh mund të jenë mirë por ky komision ka konsideruar që është mire tu jepet shansi disa të rinjve”, ka deklaruar Gola.
