Deputetë të partive opozitare e kanë fajësuar kryeministrin Albin Kurti për politikë të jashtme të dobët, si pasojë e së cilës Kosovës po i vihen vazhdimisht kushte. Nga opozita kanë kërkuar që të plotësohet kushti i Gjermanisë dhe Francës për dërgim të draftstatutit të Asociacionit në Kushtetuese, në mënyrë që të arrihet pranimi në Këshill të Evropës
Deputetë të partive opozitare kanë kritikuar kryeministrin Albin Kurti një ditë pasi deklaroi se Kosova nuk e pranon kushtëzimin me Asociacion për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Sipas tyre, duhet koordinim me shtetet perëndimore.
Deputetja e Parisë Demokratike, Ariana Shoshi-Musliu, e ka quajtur të mjerë vendimin e Kurtit dhe e ka pyetur pse e ka zbatuar vendimin e Kushtetueses për Manastirin e Deçanit nëse nuk ka dashur t’i shkonte punës deri në fund.
“Qëndrimi i kryeministrit është mjerim për vendin! Vetë politika e Albinit, zotimet në Marrëveshjen e Ohrit, kundërshtimi dhe moskoordinimi me aleatët tanë, njëherësh superfuqi botërore, e kanë sjellë Kosovën në pikën ku është. D.m.th. degradimi i politikës së jashtme është i shkallës së lartë. Kurti nuk ka kredibilitet te miqtë tanë ndërkombëtarë, nuk kanë besim në të, prandaj edhe kërkohen kushte shtesë paraprakisht”, ka thënë Shoshi.
Kurti është kritikuar edhe nga LDK-ja. Deputeti Avdullah Hoti, në një postim në Facebook, ka publikuar një listë prej 14 organizatash e federatash ku Kosova është anëtarësuar sa herë që është koordinuar, sipas tij, me aleatët. Ai i është referuar periudhës kur në pushtet ishte LDK-ja.
“Kur Kosova koordinohet me aleatët, anëtarësohet … nuk kushtëzohet. 1. Council of Europe Development Bank – qershor 2013; 2. Council of Europe Venice Commission – qershor 2014; 3. Organisation internationale de la Francophonie – nëntor 2014 (vëzhgues); 4. South-East European Cooperation Process – maj 2015; 5. European Qualifications Frameëork Advisory Group – dhjetor 2015; 6. International Amateur Radio Union – dhjetor 2015; 7. Permanent Court of Arbitration – janar 2016; 8. European Federation of Journalists – janar 2016; 9. International Consumer Protection and Enforcement Netëork – prill 2016; 10. Association of Central and Eastern European Election Officials – shtator 2016; 11. Egmont Group of Financial Intelligence Units – shkurt 2017; 12. International Federation of Arts Councils and Culture Agencies – shkurt 2017; 13. World Customs Organization – mars 2017; 14. Bureau of International Expositions – mars 2017”, ka shkruar Hoti të enjten.
E deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi, në emisionin “60 Minuta” në KTV, u shpreh se ndonëse nuk është pritur kushtëzimi nga Gjermania e Franca, draftstatuti i Asociacionit duhet të dërgohet në Kushtetuese.
“Kryeministri Kurti gjithmonë i ka ndërruar fjalët (hëngër fjalët e veta) dhe po e shohim se edhe tash po e bën të njëjtën. Ne kemi thënë që draftin e Asociacionit ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese edhe pse ne po e dimë që nuk po e dërgon, sepse dihet pak a shumë se çfarë vendimi do të dalë”, ka thënë Bytyqi. “Nga momenti kur Kurti është në qeverisje e kemi parë si i ka raportet me SHBA-në dhe me shtetet e tjera mike. Kjo është padrejtësi që po na bëhet, Kurti s’i ka marrë seriozisht shtetet mike që kanë qenë në favorin tonë. Kjo duhet të mbetet përgjegjësi e Kurtit”.
Anëtarësimi i Kosovës aktualisht nuk është në rend të ditës të Komitetit të Ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, që do të mblidhet më 17 maj, pasi që Franca e Gjermania e kanë kushtëzuar mbështetjen me procedimin e draftstatutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese për interpretim. Me një qëndrim të tillë të enjten ka dalë edhe Italia.
Një draftstatut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe i është dorëzuar Qeverisë së Kosovës në tetor të vitit të shkuar nga BE-ja. Por të mërkurën, kryeministri Kurti ka thënë se ai nuk është një dokument zyrtar, pasi është refuzuar dhe si i tillë nuk mund të dërgohet në Kushtetuese.
“Refuzimi nuk është pranim. Refuzimi është refuzim. Nëse më datë 26 tetor 2023 do të pranohej dhe nënshkruhej paketa e marrëveshjes në Bruksel, vetëm atëherë ai draftstatus do të mund të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese. Draftstatuti i Lajçakut dhe emisarëve të tjerë të QUINT-it dështoi të zyrtarizohej si dokument pasi u refuzua. Si i tillë është një jo dokument, pra është një ‘non paper’. Qeveria nuk mund të dërgojë dokumente të cilat nuk i ka pranuar e nuk janë zyrtare në Gjykatë Kushtetuese. Kjo kërkesë ndaj nesh ka qenë dhe mbetet absurde”.
Ai po ashtu ka thënë se është për keqardhje mungesa e përkrahjes nga shtetet aleate dhe se kjo, sipas tij, nuk do t’i ndihmojë normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi e as demokracisë.
“Pengesat për anëtarësim në këtë organizatë i mendonim nga shtetet të cilat deri më tani nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, por assesi dhe asnjëherë nuk e mendonim që pengesë do të bëheshin shtetet demokratike, të cilat kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë përkrahëse të Kosovës për zhvillim e demokratizim, e më herët ishin pranë nesh për çlirim e pavarësim”, ka thënë ai.
Forumi i ministrave të jashtëm të Këshillit të Evropës do të mblidhet më 17 maj.