Nëntë vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së dytë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, opozita po e fajëson pushtetin për pranim të një version të Asociacionit që është edhe më i dëmshëm sesa ai që u shpall në shumë pika në kundërshtim me frymën e Kushtetutës. Partia Demokratike e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës shprehen të bindura se forma më e keqe e asociacionit është ajo që parashihet me draftstatutin e BE-së dhe me Marrëveshjen e Ohrit.
Këtë të diel janë bërë nëntë vjet prej nënshkrimit të Marrëveshjes së dytë Kosovë-Serbi për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, të konkluzioneve për energjinë, lëvizjen e lirë në urën kryesore mbi Ibër, si dhe Planin e Veprimit për Telekomin.
Derisa Marrëveshja e dytë mbi parimet e AKS-në u shpall në kundërshtim me frymën e Kushtetutës në 23 pika, anëtari i kryesisë së PDK-së, Përparim Gruda, thotë se Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti e ka degraduar edhe më tej çështjen e Asociacionit.
Sipas tij, Marrëveshja e Ohrit dhe drafti i BE-së për AKS-në janë më të dëmshme sesa Marrëveshja e 2015-s.
“Marrëveshja për Asociacionin prej Gjykatës Kushtetuese kurrë nuk është shpallur në tërësi jokushtetuese… Dhe e dini, u premtua 'jo, s’do ta themelojmë' ne e anulojmë, e kështu me radhë. Tani që kanë ardhur në pushtet, jo vetëm që e kanë pranuar marrëveshjen e Asociacionit, e kanë pranuar edhe një draft të BE-së i cili nuk e përmend atë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese me të cilin kanë ardhur në pushtet… E keni parë draftin e BE-së, në praktikë është autonomi, ka financat e veta, të hyrat e veta, e ka arsimin – prej çerdhes në universitet, shëndetësinë, planifikimin hapësinor, i ka ndërmarrjet publike që i themelon, krejt këto janë elemente të autonomisë”, tha Gruda.
Gruda thotë se vetëm Rusia, Bjellorusia dhe Kosova prej shteteve evropiane janë nën masa ndëshkuese të BE-së.
Ashtu si PDK-ja, edhe nga AAK-ja e kanë akuzuar qeverisjen aktuale për rëndim të gjendjes së politikës së jashtme shkaku që Kosova tash është nën masa.
Anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Time Kadrijaj, thotë se Asociacioni që parashihet me Marrëveshjen e Ohrit dhe në Draftstatutin e BE-së është forma më e keqe e mundshme.
“Ne kemi pasur një proces të dialogut i cili ka qenë tepër jotransparent, ka qenë dialog pa parime dhe në fakt na ka sjellë dëme, sepse tash kjo marrëveshja e Asociacionit, pra drafti i Asociacionit, është forma më e keqe e mundshme që do të mund t’i ndodhte Kosovës, meqë kemi të bëjmë me një pushtet të tretë dhe me vetëqeverisje të komunave serbe, përderisa format e tjera të Asociacionit që ndoshta kanë qenë më të zbutura, Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka pranuar... Kemi ndërprerje të dialogut, dialog jotransparent dhe sot Kosova është e sanksionuar dhe nëse vazhdohet me këtë frymë të veprimeve pa koordinim me aleatët tanë mund të ketë Kosova sanksione të tjera”, tha Kadrijaj.
E, lidhur me moszbatimin e shumicës së marrëveshjeve, siç thotë Kadrijaj, rol destruktiv ka pasur vazhdimisht Serbia, e cila e zvarrit zbatimin tyre.
Përderisa Qeveria po insiston në zbatimin e marrëveshjeve për hapjen për qarkullim me vetura të Urës kryesore të Mitrovicës, këtë e kanë kundërshtuar BE-ja dhe SHBA-ja, duke u thirrur në arsyetime të sigurisë.
Në veri të vendit ka nis të zbatohet Marrëveshja e energjisë, përfshirë dërgimi i faturave te qytetarët, praktikë që nuk ka funksionuar që prej pasluftës.
E lidhur me Telekomin, ende vazhdon të mos ketë zbatim të Planit të Veprimit të pajtuar më 2015. Mos-harmonizimi i brezave të frekuencave mes rregullatorëve të komunikimeve elektronike bënë që valët e operatorëve të telefonisë e edhe të radiove të Serbisë të depërtojnë në Kosovë.