Arbëri

Opozita e quan lojë elektorale miratimin e Ligjit për Byronë nga Qeveria

Debat e mospajtime ka sjellë miratimi i Ligjit për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Pushteti kërkon që, pas votimit në qeveri, projektligji të trajtohet me urgjencë edhe në Kuvend. E në opozitë thonë se Ligji duhet konsultuar në Venecia e të mos përdoret për fushatë elektorale. Versioni i parë i ligjit ishte rrëzuar nga Kushtetuesja

Ligji për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë, i proklamuar si më i rëndësishmi në reformën për drejtësi, po has në kritika për mënyrën e procedimit dhe për qëllimin, për të cilin pushteti po e shtyn para.

Projektligji me ndryshimet e bëra u votua në mbledhjen e Qeverisë, pasi më herët ka dështuar ta kalojë testin e kushtetutshmërisë.

Sipas hulumtuesit të Institutit të Kosovës për Drejtësi, Astrit Kolaj, miratimi i ligjit, të mërkurën në Qeveri, kapërceu një hap të rëndësishëm.

“Ky ligj është miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, pa hyrë në konsultime publike. Për ne, kjo është e papranueshme, sepse në këtë rast kemi cenim apo kufizim të lirive të njeriut. Konsultimet publike kanë për qëllim të garantojnë pjesëmarrjen dhe të kenë një transparencë në proceset legjislative”, ka thënë Kolaj.

Tani, ky projektligj i ka mbetur Kuvendit për miratim.

Deputeti i Lidhjes Demokratike, Driton Selmanaj, ka theksuar se pushtetit i mungon serioziteti për të votuar e zbatuar një ligj të tillë, por, sipas tij, qëllimin e ka tjetër kund.

“Ne si LDK, e shohim lojë politike, e cila nuk e ka për qëllim sikurse nuk e ka pasur asnjëherë qëllimin që vërtet të vendoset një sistem i konfiskimit të pasurisë së pabazë në Kosovë”, ka thënë deputeti nga radhët e LDK-së, Driton Selmanaj.

Selmanaj konsideron se drafti, duhet të kalojë edhe një filtër për t’u votuar në Kuvend.

“Jam i bindur që përsëri ky duhet të shkojë në Komisionin e Venecias, sepse Komisioni i Venecias ka dhënë mendim dhe rekomandim për këtë çështje dhe tash nëse kemi një draft tjetër duhet ta konfirmojmë edhe një herë për të parë Komisioni i Venecias se a është në përputhje me standardet ndërkombëtare, sidomos në kontekst të lirive dhe të drejtave të njeriut”, ka shtuar ai.

E deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, konsideron që Kuvendi, projektligjin për byronë, duhet ta trajtojë me urgjencë.

“Shumë shpejt në radhë të parë si Komision për Legjislacion ditëve të ardhshme, nëse jo, javën e ardhshme do ta trajtojmë në parim në komision dhe do ta rekomandojmë për seancë për shqyrtim dhe miratim në lexim të parë. Ndërkohë, personalisht mendoj se duhet ta trajtojmë me procedura të përshpejtuara në kuptimin që duke qenë se bëhet fjalë vetëm për tri nene, nuk ka asnjë arsye që të trajtohet në procedura të rregullta për të humbur kohë. Edhe ashtu është sesioni i fundit i legjislaturës”, ka thënë Rrustemi.

Me Ligjin për Byronë Shtetërore, mundësohet që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë mund të jenë subjekt i verifikimit të pasurisë nëse ekzistojnë dyshime për prejardhjen e saj.

Përveç zyrtarëve, ligji lejon hetimin edhe të familjarëve të këtyre zyrtarëve dhe personave të tjerë që mund të konsiderohen si “palë e tretë”.

Në mbledhjen e Qeverisë, javën e shkuar, ditën kur u votua projektligji, është thënë se janë adresuar problemet, të cilat i ka identifikuar Gjykata Kushtetuese.

Në Kuvend ligji kaloi më 9 shkurt 2023. Pas kësaj, u sfidua në Kushtetuese nga deputetë të Partisë Demokratike. E, u shpall i pavlefshëm pas një viti e gjysmë shqyrtim nga kjo gjykatë, më 29 korrik 2024.