Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se partitë parlamentare duhet të ulen e të diskutojnë për kohën e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme nacionale. Partitë opozitare presin që pushteti të largohet vullnetarisht, ndërsa në LVV këtë kërkesë të tyre e konsiderojnë absurde. Qeveria Kurti ka hyrë në vitin e katërt, të fundit të mandatit qeverisës
Partitë opozitare nuk po arrijnë të gjejnë konsensusin për procedurën që çon vendin në zgjedhje të parakohshme. Pas zotimit të kryeministrit Albin Kurti për t`iu ofruar votat që i mungojnë opozitës për shpërndarje të Kuvendit, PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja, kanë qëndrime të ndryshme.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës presin që Kurti të japë dorëheqje ose që partia e tij të iniciojë shpërndarjen e Kuvendit. Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, tha se kryeministri Kurti duhet të formalizojë dorëzimin e tij në qeverisje e të mundësojë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
“Duhet kryeministri vetë me marrë nismën dhe me ofru zgjedhjen, pra me u dorëzu formalisht përderisa është dorëzu politikisht. Kryeministri është i dorëzuar politikisht, kryeministri është i dorëzuar juridikisht, kryeministri është i tërhequr administrativisht dhe ai është i paaftë në qeverisje. Çka mbetet është formalizmi i dorëheqjes dhe tërheqjes së tij nga ky mandat qeverisës”, tha ai.
Sipas Gashit, pas dorëheqjes së kryeministrit ose nismës për shpërndarjen e Kuvendit, LDK-ja zotohet se nuk do të kërkojë mandat të ri qeverisës, por do të përkrahë mocionin e shpërndarjes së Kuvendit.
“Paraprakisht z. Kurti duhet të krijojë situatën e re politike duke dhënë dorëheqje ose duke marrë iniciativën për shpërndarje të Kuvendit”, thotë ai.
Mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti ka kohë që e ka gati Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, por i cili nuk është mbështetur edhe nga partitë e tjera opozitare. Besnik Tahiri nga kjo parti thotë se para shkuarjes në zgjedhje kryeministri Kurti duhet të ballafaqohet me opozitën për qeverisjen e tij.
“Ajo që është parë në këtë kohë dhe që duhet ta bëjmë me kujdes ne si opozitë është ta dekodojmë, ta dekonstruktojmë qeverisjen më të dobët në histori të Kosovës. Dhe ky dekonspirim vjen veç duke u ballafaquar”, tha Tahiri në konferencën për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit. “Shpresoj që ai të japë dorëheqje dhe të shkojmë në zgjedhje menjëherë ta ndërrojmë, mirëpo nuk do të lejojë që fillimisht të viktimizohet pa u ballafaqu ky goxha me do tema serioze”, tha ai.
E derisa shefja e deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se për zgjedhje duhet të ketë konsensus brenda opozitës. Ajo e konsideroi absurde që pushteti të ofrojë votat e tij për rrëzimin e qeverisë apo shpërndarjen e Kuvendit një grupi të caktuar.
“Të koncentrohen, fokusohen ata vetë njëherë, të dinë se ku janë së bashku, të dinë se i kanë 44 vota së bashku, të dinë se janë 61 vota për mocion mosbesimi, ndërsa 80 vota për të shpërndarë Kuvendin. Gjitha këto duken paksa të largëta për momentin apo vetëm si dëshirore kur kërkohet vota e pozitës”, tha ajo.
Por, kërkesën e shefes së deputetëve të VV-së për konsensus brenda opozitës e ka konsideruar lojë fjalësh Arben Gashi i LDK-së.
“Opozita është e ndryshme, nuk është një, pushteti është një. Opozita është e ndryshme, ne nuk jemi një. LDK-ja nuk është as AAK, as PDK dhe anasjelltas. Kjo është lojë fjalësh, le të bëhen ata bashkë. Por, çka është detyrë kushtetuese, ligjore dhe politike, është që qeveria me qeveris, dhe qeveria nuk po qeveris”.
E në PDK janë të bindur se do ta arrijnë një gjë të tillë.
“Opozita çfarë ka kërkuar tash e sa kohë është që t’u hapë rrugë zgjedhjeve të reja. Unë jam e bindur që do të gjendet mënyra, unë jam e bindur që partitë opozitare do ta gjejnë formën që t’i japin fund kësaj qeverisjeje që po shihet çdo ditë”, tha deputetja e PDK-së, Blerta Deliu.
Mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme të hënën e ka përkrahur edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca. Sipas tij, pas iniciativës së opozitë, mbetet të dakordohet koha e mbajtjes së tyre. Qeveria Kurti, së cilës i përket Konjufca, ka hyrë në vitin e katërt, të fundit të mandatit qeverisës.
“Nuk mund t’ju them saktë se cila është koha më e mirë për të shkuar në zgjedhje, mirëpo e keni dëgjuar edhe kryeministrin që ka thënë se do të ishte në mbështetje të një iniciative të opozitës sa i përket shkuarjes në zgjedhje. Vetëm duhet të ulemi me partitë politike dhe ta specifikojmë se cila është koha më e përshtatshme, a është vera apo vjeshta”, ka thënë ai.
Përfaqësuesit e partive politike, deklarimet për zgjedhje i bënë pas mbajtjes së Kryesisë së Kuvendit, në të cilin është vendosur për mbajtjen e dy seancave këtë javë. Të enjten, nga ora 10, do të zhvillohet seanca e jashtëzakonshme ku do të kërkohet formimi i komisionit hetimor për kontratat joburimore, derisa nga ora 12 pritet të vazhdohet me seancë të re plenare për t`i përfunduar pikat e papërfunduara që nga 8 shkurti.
Sipas deputetes së PDK-së, Blerta Deliu, me komisionin hetimor do të zbardheshin parregullsitë që kanë identifikuar në lidhje me dhënien e kontratave. Ajo është shprehur optimiste se për formimin e këtij komisioni do të kenë mbështetjen edhe të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
“Tashmë ka dëshmi të institucioneve përgjegjëse dhe do t`i hapim rrugë edhe adresimit të institucioneve të prokurorisë për të cilin ne kemi bërë kërkesë tashmë disa herë, sepse është dëshmi e qartë se ka pasur keqpërdorim me mënyrën se si Qeveria e Republikës së Kosovës ka negociuar me këto kontrata njëburimore”, ka thënë ajo.
Seancë pritet të mbahet edhe në përvjetorin e 25-të Betejës së Koshares, derisa paraprakisht një tjetër do të zhvillohet në fillim të muajit prill për qeverisjen trevjeçare të Qeverisë Kurti.