Arbëri

Opozita dyshon se VV-ja ua siguron votat për shpërndarjen e Kuvendit

PDK-ja ka thënë të jetë e angazhuar që brenda muajit prill Kuvendi të shpërndahet dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. AAK-ja thotë se janë ende në diskutim me partitë parlamentare, ndërsa LDK-ja thotë se ato edhe ashtu do të mbahen brenda 10 muajve të ardhshëm. Në emër të LVV-së, kryeparlamentari Glauk Konjufca deklaroi se shumica nuk ka vullnet që vendi të shkojë në zgjedhje me dorëheqje të Qeverisë

Partitë opozitare parlamentare janë shprehur se së shpejti do t’i nisin konsultimet për shpërndarjen e Kuvendit dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme. Përfaqësues të Partisë Demokratike, e cila e ka propozuar 9 qershorin si datë të zgjedhjeve, kanë thënë se do të angazhohen që brenda muajit prill Kuvendi të shpërndahet. Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka paralajmëruar se seancës për shpërndarjen e Kuvendit do t’i paraprijë një konsultim mes kryetarëve të partive politike. 

“Jemi në fund të muajit mars dhe nëse e shpërndajmë Kuvendin në fund të muajit prill, atëherë i bie që brenda 45 dite përafërsisht i bie që data 9 qershor të jetë data kur organizohen zgjedhjet. Muaji prill do të jetë muaji që do të angazhohemi që të zbatojmë këtë proces”, ka thënë Tahiri.

Për mënyrën se si do të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, ka theksuar se janë ende në diskutime në kuadër të grupeve parlamentare. 

“Ne jemi në diskutim me grupet parlamentare që qysh me u qasë. Ne jemi për të shkuar në zgjedhje sa më shpejt që të jetë e mundshme, por duhet parë se si. Ne mendojmë se kjo qeveri duhet të shkarkohet, madje ne kemi qenë të partë që kemi propozuar inicimin e shkarkimin e kësaj qeverie. Albin Kurti është dorëzuar, veç një qëllim e ka, se si të gjendet një formë që t’i mbetet faji opozitës për shkuarjen në zgjedhje”, ka deklaruar ai. 

E në LDK nuk janë shumë të bindur se Vetëvendosje është e gatshme t’ua japë votat për shpërndarje të Kuvendit. Shefi i deputetëve të kësaj partie, Arben Gashi, ka thënë se zgjedhjet do të mbahen, por jo atëherë kur dëshiron Albin Kurti.

“Se a do të jetë data 8 qershor a para 8 qershorit nuk është e rëndësishme hiç. Por, zgjedhjet do të jenë maksimalisht pas 10 muajve. Jo kur ka qejf Albini, por kur ka nevojë Kosova”, u shpreh ai.

Por, në rast të një seance për shpërndarje të Kuvendit, LDK-ja i jep votat.

“Shkojmë dhe votojmë, po. S’diskutohet kjo punë”, shtoi Gashi.

Por, në funksion të shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se nuk ka ndodhur asnjë takim deri më tash i partive politike për të vendosur për zgjedhjet. Sipas tij, pushteti nuk po i përgjigjet opozitës në thirrjen për dorëheqje të qeverisë, meqë mendon se nuk ka arsye për dorëheqje.

“Me sa kam njohuri deri tash nuk ka ndodhur asnjë takim i rëndësishëm i këtij niveli, pikërisht për këtë çështje që të vendoset dhe diskutohet se kur është koha më e përshtatshme që të shkohet në zgjedhje. Ky është një rast i rrallë ku të gjitha partitë pajtohen që të shkohet në zgjedhje, por nuk po arrijmë që kjo punë të bëhet. Nuk mendoj se është punë e frikës, por mungon vullneti i shumicës që kjo të ndodhë përmes një dorëheqje të qeverisë, pasi s’ka arsye të japë dorëheqje Qeveria”, është shprehur Konjufca.

Kryeministri Albin Kurti, njëherësh kryetar i LVV-së, ka thënë se është i gatshëm që votat e partisë së tij t’i vërë në shërbim të opozitës për shpërndarje të Kuvendit nëse duan zgjedhje të reja. Ai ka hedhur poshtë mundësinë e dorëheqjes.