(12:55) - PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja lëshojnë sallën.
(12:43) - Partitë opozitare parlamentare kanë akuzuar partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, se ka bërë shkelje të ndryshime mbi Projektligjin për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2025.
Të enjten po mbahet seanca ku do të votohet në lexim të dytë për buxhetin për vitin 2025.
Megjithatë, ankesat nga opozita janë të shumta. Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka kërkuar se buxheti në këtë formë të mos vihet fare në votim.
“Kërkoi që ky buxhet që të mos vihet farë në votim për lexim të dytë. Votimi i këtij projektbuxheti do të thotë mbështetje të skemave kriminale. Ky është buxhet i kontaminum, mbështet skema kriminale. Duhet diskutim i thellë dhe jo në afate të përshpejtuara. Se në lexim të parë nuk e kemi ditë që familjarë të deputetëve në pushtet kanë përfituar nga këto skema kriminale. Unë po kërkoj që kjo mos të ndodhë, ti heqim këto skema kriminale. Kërkoj që ky projektbuxhet të kthehet mbrapa dhe të mos përshpejtohet”, ka thënë Tahiri.
Për tri shkelje procedurale e ka akuzuar pushtetin shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi. Ai ka kërkuar nga presidentja Vjosa Osmani, që nëse votohet në lexim të dytë buxheti për vitin 2025, ta kthejë sërish në Kuvend.
“Me një ligj e keni shkel tri herë Kushtetutën, vetëm ju mund ta bëni këtë. Ka ndodh një shkelje procedurale, është hedh në votim diçka qe nuk ka qenë ende në rend dite. Pra është një shkelje rëndë kushtetuese, sepse është lënë vetëm dy ditë që deputetët të propozojnë amendamente. Tentohet të ndryshohet Ligji për zyrtarët publikë dhe Ligji për tatimin e pronës së paluajtshme... kjo përbën shkelje kushtetuese… veçanërisht heqja e mundësisë për deputetët për të shprehur amendamentet për buxhetin. Unë i kam propozuar dy amendamente, por nuk janë miratuar. Nuk jemi duke dashtë me bë kolaps me dërgu në Kushtetuese këtë buxhet. I bëjmë thirrje presidentes që ta kthejë Ligjin në Kuvend dhe t’i plotësojë kriteret e duhura. Shkuarja në zgjedhje pa buxhet është e rrezikshme”, ka deklaruar Gashi.
E shefi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, pati ankesa se kërkesat e komunave që udhëhiqen nga kjo parti nuk janë trajtuar në projektbuxhet.
Për këtë pati përgjigje shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së, Armend Muja, i cili ka thënë se kërkesat e komunave të Gjakovës, Rahovecit dhe Deçanit nuk janë përkrahur nga Komisioni.
Buxheti për vitin 2025 u miratua në parim më 11 nëntor. Votuan vetëm deputetët e partisë në pushtet.