Punimet për rinovimin e çerdhes në Drobesh të Vitisë janë në prag të finalizimit, thonë në këtë komunë, por që ende nuk është hapur konkurs për pranim të stafit. Opozita akuzon kryetarin Sokol Haliti se e anuloi konkursin që e pati hapur për pranim të stafit, për shkak të përfitimeve elektorale. Por këto akuza i mohon pushteti. E në MASHT nuk dhanë një përgjigje për situatën e krijuar.
Punimet për ndërtimin e çerdhes në Drobesh të Vitisë u kryen, mirëpo dyert e saj vazhdojnë të jenë të mbyllura.
Ani pse në dhjetor të vitit të kaluar komuna hapi konkurs për pranimin e 5 edukatoreve, në po të njëjtën ditë atë vendosi ta anulojë kryetari Sokol Haliti.
“Një akt administrativ mund të anulohet apo shfuqizohet, sipas detyrës zyrtare, nga organi publik që ka kompetenca të nxjerrë aktin, nga organi i tij mbikëqyrës apo nga një organ tjetër i përcaktuar shprehimisht me ligj. Anulimi i konkurseve publike bëhet për shkak të infiltrimit të zgjedhjeve dhe shtyhet deri më datë 09.02.2025”, thuhet në vendimin e Komunës.
Opozita në këtë komunë po e konsideron shqetësues mosfunksionalizimin e kësaj çerdheje.
Liridona Bislimi, asambliste nga radhët e VV-së, thotë se kryetari Haliti vendimin për anulimin e konkursit e ndërmorri për përfitime elektorale.
“ Për shkak se në zgjedhje të fundit ka pasur po besojmë laramani dhe nepotizëm të cilën ai e ka shfrytëzuar në zgjedhje për përfitime të votave, në zgjedhjet e nivelit nacional. Këtë e besojmë për faktin se ai ka qenë edhe kandidat për deputet. Prandaj, mendojmë se edhe e ka shfrytëzuar këtë pjesë të këtij konkursi”, tha Bislimi.
Bislimi tha se nuk i dinë arsyet pse ky konkurs nuk është hapur ende, edhe pse kanë kaluar 2 muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve.
E akuzat e opozitës i cilësuan si thashetheme udhëheqësit e kësaj komune.
“Pikërisht për t’i ikur kësaj, kryetari Haliti e ka anuluar konkursin. Për të mos thënë se ky i ka dhënë orientim politik dhe i ka marrë kandidatët e vet dhe nuk ka dashur në atë kohë të ketë këso lloj procedurash. Se shumë më mirë edhe ndoshta në aspekt të votimit edhe të elektoratit do të ishte përfundimi i konkursit dhe marrja e njerëzve, e të cilët do të kishin vrapuar pikërisht për subjektin tonë”, tha Hasan Aliu, nënkryetar i Vitisë.
Sipas Aliut, konkursi për punësim nuk është hapur për shkak të mosinvertarizimit, ndërsa nuk ka mundur të japë një datë se kur kjo çerdhe do të hapë dyert për fëmijët.
“Është fjala për një mosmiratim të një plani të personelit që ekziston, nuk e kemi pasur të harmonizuar, por që besoj se së shpejti në afat do të bëhet”, tha Aliu.
Të pyetur që nga dita e enjte nëse janë të informuar për situatën e krijuar dhe nëse kanë përfunduar të gjitha punimet në çerdhe, në Ministrinë e Arsimit nuk ofruan përgjigje.
Kjo çerdhe dikur ishte objekt i shkollës fillore, teksa përmes një projekti të MASHT-it është rinovuar dhe adaptuar si institucion parashkollor. Vlera e projektit sipas MASHTI-t, është mbi 108 mijë euro.