Qerim Ondozi, njohës i rrethanave politike në Bosnjë e Hercegovinë, ka thënë se Kosova duhet ta marrë shembull këtë shtet dhe mosdorëzimin e tij që të kërkojë përgjegjësi nga Serbia për krimet e luftës.
Në “Interaktiv” të KTV-së, Ondozi ka thënë se miratimi i Rezolutës në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara që 11 korriku të njihet ndërkombëtarisht si Dita e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë duhet t’i japë shtysë Kosovës.
Sipas tij, qasja e Serbisë është e njëjtë si ndaj Kosovës ashtu edhe ndaj Bosnjës.
“Për fatin tonë të keq s’ka marrëdhënie të mira mes Kosovës dhe Bosnjës, e s’po punohet drejt avancimit të tyre megjithëse ka pasur lëvizje nga ana e qeverisë aktuale të Kosovës si për çështjen e njohjes së letërnjoftimeve. Kosova mund të mësojë nga Bosnja. Një fitore e tillë diplomatike mund t’i japë shtysë Kosovës për të kërkuar përgjegjësi nga Serbia për krimet që kanë ndodhur në Kosovë. S’di sa presion do të ushtrohet karshi neve për të mos bërë gjë të tillë, duke qenë se pjesë e negociatave është të mos bëhemi të zëshëm për këtë. Por s’duhet hequr dorë nga një hap i tillë sepse krimet asnjëherë nuk vjetrohen. E nëse këtu s’kemi të drejtë të kërkojmë dëmshpërblim a diçka, s’duhet të mos e harrojmë fitoren diplomatike të Bosnjës e të bëjmë gjë të ngjashme dhe ta akuzojmë Serbinë për gjenocid, nëse jo sivjet, pas një viti, pse jo edhe pas 10 vjetësh a kur të bëhemi anëtare e OKB-së, duke u thirrur në procesin që ka bërë Bosnja e Hercegovina dhe shpresoj që do të ndihmojnë njëra-tjetrës në këtë proces sepse kemi çka të mësojmë nga njëra-tjetra”, ka thënë ai.
Ondozi po ashtu ka thënë se reagimet e pas votimit nga ana e liderit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, dhe kërcënimet për ndarjen e Bosnjës nuk kanë shkaktuar habi te populli boshnjak. Sipas tij, Dodikut i është dobësuar pozicioni për shkak të sanksioneve nga perëndimorët.
Ondozi ka vlerësuar se nga Rezoluta e së enjtes, Serbia bëhet përgjegjëse tërthorazi për gjenocidin në Srebrenicë.
“Performanca e (presidentit të Serbisë, Aleksandar) Vuçiqit në Asamblenë e OKB-së lë të kuptohet se kjo është e drejtuar kundër Serbisë edhe pse në mënyrë eksplicite s’mund të thuhet, por Serbia gjithmonë do të jetë përgjegjëse për mungesën e parandalimit të gjenocidit. Mund të dëshmohet që ajo ka mundur ta parandalojë dhe s’e ka bërë këtë. Këtu është përgjegjësia më e madhe e Serbisë si shtet e entitet politik a njësi politike. Sepse nuk e ka parandaluar një gjenocid që ka mundur. Rezoluta s’do të kishte mundësi të fajësonte direkt Serbinë, por gjithsesi në mënyrë të tërthortë”, ka thënë tutje ai.
Për numrin e madh të votave abstenuese, Ondozi ka thënë se kjo ndodh për shkak të rritjes së polarizimit në botë, por ka vlerësuar se të rëndësishme janë deklaratat edhe të përfaqësuesve që abstenuan e që thanë se e njohin gjenocidin.