Oda Ekonomike e Kosovës i është drejtuar me kërkesë Avokatit të Popullit duke kërkuar pezullimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për tregun e hapur të energjisë.
OEK ka kërkuar nga Avokati i Popullit që të iniciohet çështja në Gjykatën Kushtetuese e të kërkohet pezullimi prej të paktën një vit i vendimit të ZRRE-së.
“Kjo kërkesë vjen me qëllim mbrojtjen e bizneseve nga rritja e mundshme e çmimit të energjisë elektrike, e cila do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e kostos së prodhimit apo shërbimit. Një rritje e tillë do të ndikonte negativisht në konkurrueshmërinë e bizneseve në tregun e brendshëm dhe atë të jashtëm, duke ulur gjithashtu standardin jetësor të qytetarëve”, thuhet nga OEK.
OEK i është drejtuar Avokatit të Popullit më 21 mars.
Kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu, ka thënë se deri më tani nuk ka asnjë arsyeje për shtyrje të afatit sa i përket vendimit për procesin e liberalizimit të tregut të energjisë.
Sipas Fejzullahut, rreth 1 mijë biznese do të duhet të sigurojnë furnizimin me energji elektrike përmes tregut të hapur.
"Pritet që numri bizneseve që duhet të dalin në treg të jenë rreth 1 mijë biznese, por duhet të ritheksuar se bizneset tjera e kanë për obligim të dëshmojnë se kanë se më pak se 50 punëtorë dhe më pak se 10 milionë euro në rast se dëshirojnë të furnizohen me tarifa të rregulluara nga rregullatori. Gjithë konsumatorët biznesor të cilët plotësojnë këto dy kritere, duhet të dëshmojnë para KESCO-s që plotësojnë dy kritere, nëse dëshirojnë të furnizohen me tarifa të rregulluara...Asnjë arsyeje deri më tani nuk ka për shtyrje të këtij afati, meqenëse kemi paralajmëruar edhe vitin e kaluar që afati i fundit që do të furnizohen me tarifa të rregulluara ka qenë 31 marsi. Me qëllimin e mirë për të diskutuar bashkërisht edhe me bizneset, e kemi shtyrë këtë afat deri me 1 qershor, vetëm që t'i japim hapësirë dhe kohë biznesit të përgatiten për këtë proces dhe të njëjtën kohë bashkërisht do të jemi bashkë me bizneset për t'i ndihmuar në këtë proces", tha ai.
Mbi 1 mijë biznese nga 1 qershori duhet t’i zgjedhin vetë furnizuesit për energji elektrike. Por kalimi në furnizim me çmime të parregulluara, të cilat i përcakton tregu, po kundërshtohet nga bizneset. Ato kanë kërkuar që të ketë sërish shtyrje, ani se një vendim i tillë është shtyrë që nga viti 2017.
Vendimi i cili obligon ndërmarrjet me mbi 50 punëtorë ose 10 milionë euro qarkullim në vit që nga 1 qershori të dalin në treg të hapur po kundërshtohet nga përfaqësuesit e bizneseve.
Kërkesa (shkarko)