Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka përshëndetur vendimin e Qeverisë për ndryshimin e masës së sigurisë për produktet e importuara nga Serbia.
Në njoftimin e OEAK-ut thuhet se është për më shumë se një vit është përsëritur se një vendim tillë ka pasur ndikim negativ në interesat komerciale të Shteteve të Bashkuara dhe të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.
“Por edhe ka qenë në kundërshtim me frymën e promovuar nga Marrëveshja për Tregtinë e Lirë e Evropës Qendrore (CEFTA), por edhe zotimet e ndërmarra nga Kosova në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftim.
Nga Oda Amerikane më tej theksohet se masa e tillë ka rrezikuar edhe pjesëmarrjen e Kosovës në nismat e bashkëpunimit rajonal, me pasoja të rënda për ekonominë dhe procesin e integrimit euro-atlantik të Kosovës.
“Duke pasur parasysh që njëri ndër synimet kryesore të CEFTA-së përfshin reduktimin e kostove të tregtisë dhe prodhimit, përmes eliminimit të barrierave të lëvizjes së mallrave, Oda Amerikane i bënë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që sa më shpejtë të jetë e mundur të fuqizojë mekanizmat e kontrollit në të gjitha vendkalimet kufitare, ashtu që masa aktuale e sigurisë të mund të shfuqizohet në tërësi”, thuhet më tej në njoftim.