Arbëri

Oda Amerikane mirëpret kthimin për rishqyrtim të Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit

Oda Ekonomike Amerikane e Kosoves

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) ka mirëpritur vendimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për ta rikthyer për rishqyrtim Ligjin për mbrojtjen e konsumatorit. 

Ky ligj ishte miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 31 tetor të vitit 2024. 

“Oda Amerikane mbështet vlerësimet e Presidentes se dispozita kyçe të ligjit në fjalë janë në kundërshtim me dispozita të aktit më të lartë juridik të vendit, Kushtetutës, si dhe të ligjeve të tjera. Oda Amerikane beson fuqishëm se vendimi i Presidentes ka për synim shmangien e konflikteve ligjore dhe respektimin e autoritetit, përgjegjësive dhe funksionimit ligjor të institucioneve të ndryshme të Republikës së Kosovës. Është imperativ që dispozitat që rregullojnë mbrojtjen e konsumatorit të mos ndërlidhen me aspekte të tjera rregullative të cilat nuk rregullojnë në mënyrë primare ose specifike fushën e të drejtave të konsumatorëve dhe mbrojtjen e tyre, siç janë çështjet që kanë të bëjnë me mjedisin”, është thënë nga OEAK. 

OEAK beson se kthimi për rishqyrtim i këtij Ligji do të mundësojë marrjen në konsideratë të shqetësimeve dhe rekomandimeve të përfaqësuesve të sektorit privat dhe organizatave që avokojnë për të drejtat e konsumatorëve, “si demonstrim i përkushtimit për përpjekje gjithëpërfshirëse ndërmjet të gjitha palëve të interesit”.

Presidenca ka njoftuar të martën për rikthimin në rishqyrtim të dy ligjeve, atij për mbrojtjen e konsumatorit dhe për Këshillin e Sigurisë së Kosovës. 

“Në nenin 4 të Ligjit, shprehimisht përcaktohet që ky Ligj ka për qëllim mbrojtjen e shëndetit dhe mjedisit të konsumatorëve. Sidoqoftë, neni 17, paragrafi 4 i Ligjit të miratuar nga Kuvendi pamundëson realizimin e qëllimit të synuar të Ligjit në raport me mbrojtjen e shëndetit dhe mjedisit të konsumatorit. Kjo sepse i njëjti cenon mundësinë e zbatimit të obligimeve kushtetuese të institucioneve kompetente në fushën e mbrojtjes së mjedisit, pasi që kufizon aplikimin e masave të tjera, siç mund të ishte kalimi në paketimin më të qëndrueshëm dhe më miqësor për mjedisin”, thuhet në vendimin e Osmanit.

Në vendim u tha se ky ligj bie në kundërshtim edhe me disa nene të Kushtetutës dhe krijon kolizion ligjor me Ligjin për mbeturina.