Ndihmëssekretari Amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien, ka deklaruar se veriu i Kosovës dhe ndarja e Bosnjë-Hercegovinës janë ndër rreziqet në Ballkan, duke shtuar se KFOR-i në Kosovë dhe EUFOR-i në Bosnjë janë prezentë për t'i parandaluar bandat lokale.
Në një intervistë për mediumin serb Tanjug, O'Brien është shprehur se nëpërmjet proceseve politke po bëhen përpjekje për t'i tejkaluar rreziqet e dhunës dhe adresimin e shkaqeve.
“Rreziku parësor është veriu i Kosovës dhe kërcënimi për shkëputjen e një pjese të Bosnjë-Hercegovinës. KFOR-i dhe EUFOR-i në Bosnjë-Hercegovinë janë aty për t’i parandaluar bandat lokale...Mendoj se kemi shans që me procese politike të adresohen shkaqet e dhunës”, është shprehur ai, ka shkruar “Kosovo Online”.
Zyrtari amerikan është shprehur se Kosova ka të drejtë të mbrojë territorin e saj pa i rrezikuar fqinjët.
“Në përgjithësi, është një hap drejt stabilitetit në rajon dhe për këtë do të ketë mbështetjen e SHBA-së”, ka deklaruar ai, i pyetur se pse Kosovës iu lejua blerja e dronëve.
Për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, O'Brien ka deklaruar se SHBA-ja e mbështet këtë.
“Mendoj se janë rreth 400 asociacione në tërë Evropën e edhe ky (Asociacioni i komunave serbe) do të ishte i atij modeli. Sa i përket avancimit të dialogut, kemi edhe mjete të tjera, siç është Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, që synon forcimin e bashkëpunimit, si të lëvizjes së njerëzve, mallrave”, ka deklaruar ai.
O’Brien ka deklaruar se Serbia e ka mbështetur Ukrainën, duke theksuar se “bashkëpunimi për sigurinë mund të shtojë stabilitetin në rajon”.
“Bashkëpunimi dhe mbështetja për Ukrainën është jetike. Ukraina po qëndron për një parim bazë, për integritetin territorial dhe presidenti Aleksandar Vuçiq flet për këtë parim. Nuk pajtohemi me disa prej tyre...”, ka shtuar ai.