Qytetarët e Komunës së Shtërpcës po vazhdojnë të marrin shërbime spitalore në qytetin e Ferizajt dhe në qytete të tjera, ndërkaq objekti në qytetin e tyre i ndërtuar në vitin 2012 asnjëherë nuk është funksionalizuar. Komuna ka ndarë edhe 600 mijë euro të tjera për ta rinovuar atë, pasi që objekti është demoluar disa herë
Në vitin 2012 është ndërtuar një spital në qytezën e Shtërpcës, por deri më tash asnjëherë nuk është vënë në funksion shkaku i demolimit e vjedhjeve të vazhdueshme.
Së fundi, Komuna ka ndarë rreth 600 mijë euro për ta rinovuar.
Shpejtim Arifi, shef i grupit të asamblistëve nga LVV-ja, ka kritikuar qeverisjen lokale se përveç zvarritjes së projektit po e dëmton edhe buxhetin.
“E kemi ngritur vazhdimisht zërin për këtë shqetësim dhe keqmenaxhim të buxhetit, ndërsa nuk kemi marrë asnjë përgjigje dhe asnjë hap nuk është ndërmarrë që ky shkatërrim dhe ky degradim të ndalet”, ka thënë ai.
Qytetarët kanë shprehur shqetësime se në këtë projekt po shpenzohen qindra e mijëra euro për çdo vit dhe asnjëherë nuk po ofron shërbime.
“Spitali është shumë i nevojshëm edhe për ne. Ai prej shumë vjetësh është ndërtuar dhe shumë herë është vjedhur, mirëpo normal që është tepër i nevojshëm për ne, sepse duhet t’i bëjmë 30 kilometra deri në Ferizaj për të shkuar te mjeku në Ferizaj, mirëpo ka mbetur në gjysmë”, ka thënë Zeqir Sadriu, banor i fshatit Firajë.
Komuna e Shtërpcës nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim ka sqaruar se rinovimi i objektit që ka filluar në vitin 2023 do të përfundojë në fund të këtij viti.
“Objekti i spitalit është ndërtuar në vitin 2012, por nuk është vënë kurrë në funksion. Në disa raste është plaçkitur dhe Komuna e Shtërpcës ka raportuar për secilin rast tek organet kompetente. Edhe pse kishte filluar procesi i rekrutimit, ai u ndërpre për t’u siguruar fillimisht të gjitha parakushtet për punën dhe funksionimin normal të spitalit. Rreth shërbimeve spitalore - kujdesi shëndetësor dytësor me një qendër urgjence, plus ortopedi. Sigurisht që do të vendoset proceduralisht në përputhje me ligjin”, thuhet në përgjigje.
Sipas përgjigjes së Komunës, në fillim të procesit të rekrutimit u punësuan 21 persona, personel jomjekësor, të cilët janë angazhuar në punët administrative dhe në përgatitjen teknike të spitalit.