Arbëri

Nxënësve të shkollës “Gjergj Fishta” pushimi i gjatë u shkurtohet në 5 minuta, shkaku i iftarit

Në shkollën “Gjergj Fishta” në Prishtinë, pushimi i gjatë është shkurtuar në 5 minuta, në mënyrë që orari i përfundimit të mësimit të përkojë me kohën e iftarit gjatë Ramazanit. Në Drejtorinë e shkollës thanë se vendimi është marrë me kërkesë të Këshillit të Prindërve teksa në Ministrinë e Arsimit thanë të mos jenë informuar për një praktikë të tillë. E psikologia shkollore, Tringa Visoka, thotë se shkurtimi i kohës për pushim mund të sjellë efekte negative te nxënësit

Nga 3 e deri më 17 mars, pushimi i gjatë për nxënësit e shkollës fillore “Gjergj Fishta” në Prishtinë është shkurtuar në veç 5 minuta për akomodimin e orarit shkollor me kohën e iftarit për Ramazan.

Në drejtorinë e shkollës nuk pranuan të flasin para kamerës, por bënë të ditur se vendimi për shkurtimin e pushimit është marrë me kërkesë të Këshillit të Prindërve dhe në koordinim me Drejtorinë Komunale të Arsimit.

KOHA prej dy ditësh ka tentuar të komunikojë me Drejtorinë Komunale të Arsimit në Prishtinë për rastin në shkollën “Gjergj Fishta”, mirëpo nuk ka arritur të marrë një përgjigje. Gjithashtu, nuk posedojmë informacione zyrtare nëse ka shkolla të tjera në këtë komunë, të cilat kanë vendosur që minutat e pushimit të nxënësve t’i shkurtojnë për shkak të kohës së Ramazanit.

I pyetur për këtë çështje, as kryetari i Komunës, Përparim Rama, nuk ka pranuar të japë përgjigje.

“Le të rrimë në të njëjtën temë. Le të rrimë në të njëjtën temë, sot mos”, ka thënë Rama.

Përgjigje nuk ofruan as në Këshillin e Prindërve të shkollës.

E në Ministrinë e Arsimit thanë të mos kenë informacione për këtë ndryshim dhe nëse ka edhe shkolla të tjera që po e zbatojnë këtë praktikë.

Psikologia, Tringa Visoka, thekson se shkurtimi i minutave të pushimit ka ndikim jo të mirë në rezultatet, vlerësimin dhe përqendrimin e nxënësve gjatë orëve mësimore.

“Në aspektin psikologjik nuk është ide e mirë, sepse i ngarkon fëmijët më shumë, ndjehen më të lodhur edhe nuk është që e kanë edhe aq atë hapësirën për të pushuar, për të pasur kohën e tyre apo për të kryer ushqimin”, ka theksuar Visoka.

Ajo paralajmëron se kjo mund të reflektojë edhe me sjellje negative te fëmijët.

“Edhe në mësim, edhe në familje, edhe në mesin e shoqërisë, për shkak se ata fillojnë të frustrohen, sepse e shohin që s’po kanë kohë të mjaftueshme për t’ia kushtuar vetës, të përgatiten për orën tjetër mësimore edhe fillojnë të nervozohen. E atë nervozën e tyre e shprehin qoftë te shokët apo shoqet, apo i irriton diçka tjetër brenda orës mësimore, qoftë edhe me arsimtaren se munden të thonë që nuk po kemi kohë të pushojmë, si po kërkoni prej nesh. Kështu që këto ndërlidhen me njëra-tjetrën”, ka sqaruar ajo.

Edhe vitin e shkuar, KOHA pati raportuar se në disa shkolla të Prishtinës, Lipjanit dhe të Podujevës, ora mësimore dhe pushimet e gjata janë shkurtuar për shkak të Ramazanit.