Dhuna në familje

Nxënësve në Prishtinë u ligjërohet kundër dhunës në baza gjinore

Jehona Lushaku - Sadriu

Foto: EO

Të premten nxënësve në shkollat e ciklit të mesëm të ultë dhe të mesëm të lartë në Prishtinë, u është mbajtur ligjëratë senzibilizuese kundër dhunës në baza gjinore. 

Me këtë rast nënkryetarja e Prishtinës, Jehona Lushaku – Sadriu, ka mbajtur një ligjëratë në një nga klasat e gjimnazit “Sami Frashëri”.

Lushtaku-Sadriu ka thënë se është e rëndësishme që edhe nxënësit të kenë rolin e tyre në familje duke kërkuar dialog e duke raportuar dhunën që mund të ndodhë brenda shkollave.

Ajo ka thënë se para se të ndodhë vrasja është e rëndësishme që gjithmonë dhunës t’i “shpallet luftë. 
“Është e rëndësishme që edhe ju të merrni një rol në familje, edhe ju të kërkoni, të kërkoni përgjigje prej prindërve, edhe problemet tuaja janë problemet e prindërve. Kur flasim për dhunën në raste ekstreme, flasim për fenomene edhe se femicidi është akti kur gratë vriten vetëm se janë gra. Statistikat po tregojnë që gratë po vriten kur ka dhunë në familje”, është shprehur ajo 

Psikologja e shkollës Besarta Murtezi, u shpreh se është e rëndësishme që brenda familjes të trajtohen edhe dhuna psikike e emocionale që shkaktohet.

Kjo pasi sipas saj, tek ne rastet trajtohen vetëm pas dhunës fizike.

“Para 15 viteve kemi bërë një hulumtim të madh në nivel të Kosovës në UP në Fakultetin e Psikologjisë edhe bashkë me rrjetin e grupeve të grave të Kosovës e kemi përsëritur pas 10 viteve të njëjtin hulumtim krejt Kosovën për dhunën në familje në baza gjinore. Para 15 vite ka qenë ekstrem e shprehur dhuna në familje, hala më shumë se sa që është e dukshme, mirëpo ka qenë dhunë psikologjike, emocionale përveç fizikes. Tek ne ka fatkeqësisht e marrin vetëm kur ndodh fizikja, sepse shkon të vrasja e e marrin se çka ka ndodhur, në ekstrem ka dhunë psikologjike dhe emocionale nëpër familjet tona”, ka thënë ajo, raporton EO. 

Të premten, një grua 21-vjeçare u vra nga ish-bashkëshorti në Ferizaj, ndërsa pesë ditë më vonë një 43-vjeçare u vra nga bashkëshorti në Pejë. Këto raste kanë nxitur reagime në opinion. 

Institucionet shtetërore kanë zhvilluar takime urgjente, ndërsa kanë paralajmëruar hapat që do t’i ndërmarrin për të parandaluar vrasjen e grave.