Arbëri

Nxënësve me aftësi të kufizuara s’u ofrohen kushte bazë shkollimi

*Teksti dhe storja janë përgatitur në kuadër të projektit “Dëgjonani”!

Në Kosovë vlerësohet të jenë rreth 40 mijë të rinj me aftësi të kufizuara. Por, vetëm 10-përqindëshi i tyre ka qasje në arsimin publik. Prindërit ankohen se sistemi nuk ua mundëson fëmijëve të tyre që t’i zhvillojnë pasionet, e në komuna thanë se shumë nga problemet e kanë burimin tek mungesa e buxhetit. Aktivistë të shoqatave që avokojnë të për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara dhe njohës të arsimit bënë thirrje që institucionet të marrin masa në funksion të ofrimit të kushteve bazë të shkollimit për këtë kategori fëmijësh

Poezia është një nga pasionet e Sumeja Sejdiut, por atë nuk mund ta zhvillojë në shkollën fillore “Tefik Çanga” në Ferizaj, ku vijon mësimet në klasën e nëntë.

Sistemi arsimor i Kosovës nuk ofron mësimdhënie të bazuar në nevojat individuale të fëmijëve me nevoja të veçanta.

Kjo është kthyer në barrierë për ta zhvilluar pasionin 16-vjeçarja me sindromën down, thotë nëna e saj, Behare Shaqiri-Sejdiu.

“Sumeja dhe fëmijët tanë, dhe fëmijët e tjerë që janë me nevoja të veçanta, nuk mund të qasen në mësimet që i kanë nëpër libra”, ka thënë Shaqiri-Sejdiu.

Ajo ankohet edhe për mungesën e asistentëve në këtë shkollë, dhe thotë se prezenca e tyre një herë në javë është e pamjaftueshme.

“Numri i madh i fëmijëve nëpër shkolla me nevoja të veçanta edhe mungesa e asistentëve e bën të pamundur që këta fëmijë të zhvillohen ashtu siç munden me u zhvillu”, ka thënë nëna e 16-vjeçares.

Në Komunën e Ferizajt thanë se limitet buxhetore ua kanë pamundësuar të angazhojnë mjaftueshëm asistentë.

“Është kërkesë e vazhdueshme e prindërve që të shtohet numri i tyre, por ne nuk mund të lëvizim më shumë se sa ai që planifikohet nga gradi specifik për sistemin arsimor, në këtë rast për Komunën e Ferizajt”, ka thënë drejtori i arsimit në këtë komunë, Afrim Llabjani.

Në arsimin parauniversitar janë gjithsej 300,362 nxënës. Sipas një raporti të Koalicionit të Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve, në vitin e kaluar shkollor vetëm 3,903 fëmijë me aftësi të kufizuara janë përfshirë në klasat e rregullta, ndërsa 313 të tjerë në qendra burimore ose shkolla speciale.

Raporti tregon se vetëm pak më shumë se gjysma e shkollave në Kosovë sigurojnë qasje për këta nxënës e në shumë nga to ende mungon stafi mbështetës dhe pajisjet ndihmëse.

Kaltrina Misini është aktiviste në shoqatën Handikos. Ajo thotë se shumica e fëmijëve me aftësi të kufizuara nuk vijojnë mësimin.

“Ne çdo herë e theksojmë një statistikë të nxjerrë nga UNICEF-i para pak vitesh, ku del që vetëm 12 për qind e fëmijëve me aftësi të kufizuara nga të gjitha grupet në Kosovë janë të përfshirë në sistemin arsimor, pra nëpër shkolla të rregullta, e që po i bie se diku 80 për qind e fëmijëve tjerë gjenden nëpër shtëpitë e tyre”, ka thënë Misini.

Njohësi i arsimit, Dukagjin Pupovci, thotë se mungesa e kushteve bazë për fëmijët me aftësi të kufizuara e bën të vështirë arritjen e potencialit të tyre të plotë.

“Për shkak të numrin të kufizuar të asistentëve, shpeshherë asistentin duhet ta paguajë familja, ta sigurojë aty ku ka nevojë, dhe janë këto aspektet metodologjike që mësimdhënësit tanë jo të gjithë janë të përgatitur për punë me fëmijë me nevoja të veçanta, sepse aty ndonjëherë kërkohet hartimi i planeve individuale, përcjellja e tyre e kështu me radhë. Këto struktura përgjithësisht mungojnë”, ka thënë Pupovci.

Në Ministrinë e Arsimit thanë se gjithëpërfshirja e fëmijëve me nevoja të veçanta në sistemin arsimor është prioritet. Si dëshmi të kësaj listuan buxhetin për punësim të 500 asistentëve dhe shumën prej 61 mijë eurosh për mbështetje të studentëve.

“Ministria e Arsimit në vazhdimësi planifikon dhe mbështet përmes grandit specifik punësimin e mësuesve mbështetës, asistentëve si dhe ndan mjete për teknologji ndihmëse për shkolla”, thuhet në një përgjigje të shkruar të Ministrisë së Arsimit.

Ministria nuk ka ofruar të dhëna për numrin e fëmijëve me aftësi të kufizuara. Por, bazuar në një vlerësim të UNICEF-it, i bërë në 2019-n, të tillë janë 43 mijë në Kosovë.