Në shkollën fillore “Rizah Matoshi” në Ferizaj, nxënësit janë ankuar për kushtet në të cilat e kanë realizuar procesin mësimor gjatë së enjtes, kur temperaturat kanë variuar nga 3 më e larta deri në minus 1 më e ulëta. Drejtori i Arsimit në Komunën e Ferizajt, Afrim Llabjani, ka thënë se procedurat e prokurimit kanë nisur konform planit vjetor. Por nënkryetari i Këshillit të Prindërve, Visar Islami, ka theksuar se çështja e furnizimit të shkollave me dru për djegie do të duhej të zgjidhej shumë më herët
Neglizhimi i procedurave të prokurimit nga autoritetet lokale, ka lënë disa shkolla në Ferizaj pa ngrohje. Një prej tyre është shkolla fillore “Rizah Matoshi”, në të cilën procesi mësimor të enjten është zhvilluar në temperaturat që gjatë ditës kanë variuar nga 3 më e larta deri në minus 1 më e ulëta.
Nxënësit e kësaj shkolle janë ankuar për kushtet në të cilat e kanë realizuar procesin mësimor.
“Po më vjen shumë ftoftë, kjo nuk është normale. Shumë keq është në shkollë, shumë keq edhe shumë ftoftë në klasë”, ka thënë një nxënës, i cili nuk ka pranuar që të identifikohet.
Afrim Llabjani, drejtor i Arsimit në Komunën e Ferizajt, ka thënë se procedurat e prokurimit kanë nisur konform planit vjetor.
“Ne e kemi filluar procedurën me kohë por kanë qenë procedurat e tjera të tenderimit, të cilat pastaj kanë penguar që të zhvillohen me kohë të gjitha procedurat, të përfundohen me kohë dhe në mënyrë që ne të kemi furnizim me kohë nëpër shkolla”, ka theksuar ai.
Shkaku i të ftohtit, në disa shkolla procesi mësimor është zhvilluar me orar të shkurtuar.
Nënkryetari i Këshillit të Prindërve, Visar Islami, ka thënë se çështja e furnizimit të shkollave me dru për djegie do të duhej të zgjidhej shumë më herët.
“Për shkak të mosfurnizimit me dru, ka shkolla që realisht është ambient i ftoftë, edhe procesi mësimor është duke u zhvilluar me orar të shkurtuar por megjithatë një çështje duhet të kuptohet. Ligji i prokurimit në Kosovë po i paraqet problem jo vetëm komunave por edhe institucioneve”, ka bërë të ditur Islami.
Me mungesë të lëndëve djegëse janë përballur edhe shkollat në komunën e Fushë-Kosovës. Tenderi i hapur në muajin gusht ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP). Ankesa e një prej operatorëve ekonomikë, ende nuk është trajtuar nga OSHP-ja.
Shqetësim për mungesë të lëndëve për ngrohje në shkolla janë shprehur edhe në Komunën e Shtimes.