Shkolla fillore “Harun Beka” hapi dyert për mësim si zakonisht, por të premten aty nuk erdhën nxënësit nga fshati Vidimriq në Mitrovicën e Veriut. Në shkollë prej tri javësh mungon uji i pijshëm dhe kjo, sipas personelit të saj, ka rënduar kushtet higjienike në ambientet e shkollës.
Nedime Jashari është mësimdhënëse në këtë shkollë dhe thotë se janë bërë përpjekje për ta menaxhuar situatën.
“Për shkak të kushteve higjienike prindërit kanë marrë masa dhe vendime që sot fëmijët të mos i sjellin në shkollë, edhe pse qe tri javë kemi mbijetuar pa ujë në shkollë. Kemi marrë ujë, kemi bartë nga qyteti, nga zona të ndryshme edhe ujin e pijshëm, si zakonisht e kemi ble për nevoja të pijes, mirëpo prindërit janë të revoltuar”, ka thënë Jashari.
Kjo mësimdhënëse thotë se stafi i shkollës nuk e mbështet ndërprerjen e mësimit, por pranoi se është krijuar brengë e arsyeshme për mundësinë e përhapjes së sëmundjeve, shkaku i kushteve të pamjaftueshme higjienike.
“E kemi menaxhuar situatën në bashkëpunim me drejtorin e shkollës, stafin e shkollës dhe prindërit, mirëpo dje ishin përmasat krejt ndryshe. Banjat kundërmonin”, theksoi ajo.
Kryeshefi i KRU “Mitrovica”, Bashkim Kurti, fajësoi KEDS-in për situatën.
“Fatkeqësisht për shkak të borxheve të grumbulluara të energjisë elektrike KEDS-i e ka ndalur rrymën për mospagesë. Nuk është kompetencë e imja me vazhdu tutje me ta. Ne ujin nuk e kemi ndalur, dje e kam thanë, edhe një herë po e them, ju kam thanë edhe banorëve rregullisht” ka thënë Kurti.
E, në KEDS nuk dhanë sinjale për rilidhje.
Për shkak të kësaj situate, mëngjesin e së enjtes banorët e fshatit Vidimriq dhe të një lagjeje të fshatit Gushavc protestuan para objektit të Komunës së Mitrovicës së Jugut, duke kërkuar zgjidhje për mungesën e ujit të pijshëm.