Arbëri

Nxënësit e maturuar për kopjim

Rreth 19 mijë maturantë nga të gjitha komunat i janë nënshtruar të shtunën provimit të maturës shtetërore. Edhe këtë herë, që në minutat e para të provimit, pyetjet e përgjigjet e testit janë shpërndarë nëpër grupet e krijuara për këtë destinim në rrjete sociale. E rezultatet e arritjeve në test do të bëhen të ditura një javë pas

Për njohuritë që i fituan gjatë tre vjetëve të shkollimit të mesëm të lartë, rreth 19 mijë maturantë nga të gjitha komunat e Kosovës të shtunën iu nënshtruan provimit të maturës shtetërore. 

Disa nga rreth 100 maturantët që këtij testimin iu nënshtruan në shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë thanë se kanë pasur kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur teksa shprehën pritje për rezultate të mira. 

“Jam përgatitur mirë, por prapë ka pasur hapësirë m’u përgatit. Gjithsesi pres që do të dalë me rezultate të mira”, ka thënë maturanti Donat Kadriu.

Njëjtë shprehu pritjen edhe maturanti Kron Hoxha.

“Jam përgatit goxha dhe besoj që një rezultat mesatar do ta nxjerr”, ka thënë ai.

Për ta pamundësuar kopjimin, maturantët gjatë testimit janë shpërndarë nëpër shkolla të ndryshme, janë ndarë në banka nga vetëm një nxënës e në klasa nuk janë lejuar më shumë se 15 maturantë.

Por, nxënësit kanë treguar se janë “maturuar” për kopjim. Pa kaluar as 1 minutë që nga nisja e provimit, përmbajtja e testit të maturës bashkë me përgjigjet në pyetjet e shtruara janë shpërndarë në grupe që janë krijuar për këtë qëllim nëpër rrjete sociale.

Vetëm në njërin prej tyre në Viber, gjatë kohës së mbajtjes së testimit kanë figuruar më se 7 mijë anëtarë.

E me gjithë shpërndarjen e testeve, drejtoresha e shkollës fillore “Meto Bajraktari”, Kreshnike Ademi, tha se në këtë institucion nuk është evidentuar ndonjë parregullsi.

“Testi po shkon në rregull, nxënësit kanë ardhur me kohë, po ashtu edhe monitoruesit. Nxënësit kanë ardhur me kohë, janë identifikuar me mjetet e tyre identifikuese, me letërnjoftim, janë sistemuar nëpër klasa dhe tani i janë nënshtruar procesit të testimit. Nuk ka ndonjë parregullsi, nuk ka anulime”, ka thënë Ademi.

Rezultatet e testimit pritet që të bëhen të ditura pas një jave. Ata nxënës që nuk arrijnë ta përfundojnë me sukses provimin e qershorit do ta kenë edhe një tjetër afat, më 31 gusht. 

Sivjet, në platformën e-Kosova Ministria e Arsimit ka lansuar paraqitjen online të Provimit të Maturës Shtetërore, me qëllim të lehtësimit të punës së maturantëve, shkollave, komunave dhe të vetë Ministrisë.