Arbëri

Nxënësit druajnë se do të penalizohen nga gabimet që përmbajti testi i maturës

Testi i Maturës që është mbajtur javën e kaluar, pati probleme në formulim. Maturantët u ankuan se u përballen me pyetje që si alternativë kishin dy përgjigje të sakta, ani se rregulli kërkonte rrumbullakimin e vetëm një alternative. Ata shprehën drojën se gabimet e Ministrisë së Arsimit do t’i penalizojnë në procesin e regjistrimit në nivelin universitar

Përveç shpërndarjes së përgjigjeve në rrjete sociale, Testi i Maturës u përcoll edhe me probleme në formulimin e pyetjeve dhe përgjigjeve të dhëna si opsione. 

Një pyetje në lëndën e biologjisë, pati dy përgjigje të sakta. 

E rregulli i testit parasheh rrumbullakimin e një përgjigjeje të vetme. 

Maturantja e gjimnazit “Eqrem Çabej” në Prishtinë, Leona Gimolli, tha se janë hasur gabime edhe në pyetjet për lëndën e gjuhës shqipe.  

“Në testin e gjuhës shqipe kam hasur në një pyetje pak sfiduese pasi që ishte ajo që na ka bërë të mendojmë shumë, pasi që ka pasur një gabim. Aty gabimi ka qenë se thoshte në fjalinë e theksuar, në fjalinë që ishte e paraqitur aty emri i nënvizuar është, ishin opsionet, por nuk ishte asnjë emër i nënvizuar, kështu që kjo ka sjell paqartësi po besoj te të gjithë ata që i janë nënshtruar këtij testi”, ka thënë maturantja Gimolli.

Ajo ka shprehur drojën se gabimet e Ministrisë së Arsimit, do ta penalizojnë atë në procesin e regjistrimit në nivelin universitar. 

“Duke marrë parasysh që tentoj të konkurroj në një drejtim që ka shumë konkurrencë, atëherë jashtëzakonisht është e vështirë që një pikë luan shumë rol. Duke ditur që Kosova ka mjaft të rinj që tentojnë të konkurrojnë në drejtime që kanë pozitë të lartë, atëherë normalisht një pikë mund të çojë shumë peshë. Pra, nëse e shohim figurativisht një pikë mund të mos duket shumë, por çon peshë shumë të madhe në regjistrimin dhe në plotësimin e ëndrrave të atyre që synojnë me i arritë majat e suksesit”, ka thënë Gimolli.

Në Divizionin për Vlerësim të testeve, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Arsimit, kanë pranojnë se ka pasur gabime. 

Drejtori Fatmir Elezi theksoi se po analizohen pyetjet. 

“Ka një rast, një pyetje kur ka pasur dy alternativa të njëjta dhe nëse është e saktë, pa marrë parasysh se cilën e rrethon nxënësi, do t’i merret e saktë. Nëse ka rrethuar një alternativë tjetër, normal që pyetja do t’i vlerësohet gabim... Edhe një pyetje në matematikë kur është një figurë  mbi pyetje, edhe atë do ta analizojmë nëse ka ndikuar në përgjigjen e nxënësve”, ka thënë Elezi.

Rreth 19 mijë maturantë i janë nënshtruar javën e kaluar provimit të maturës shtetërore. Rezultatet e këtij testit janë determinuese për vazhdimin në nivelin universitar. Pikët e fituara në këtë testim priten të publikohen më 1 korrik. 

Nxënësit që nuk arrijnë ta përfundojnë me sukses provimin e qershorit do ta kenë edhe një mundësi më 31 gusht.