Arbëri

Nushi-Latifi: Liqeni i Badocit s’ka infrastrukturë për ta ulur nivelin e manganit

Burbuqe Nushi-Latifi, koordinatore në qendrën e monitorimit të ujit në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, ka thënë se Liqenit të Badocit i mungon infrastruktura që të ndërhyhet për ta ulur nivelin e manganit. Se kur do të bëhet uji i pijshëm në Badoc, ajo ka thënë se duhet pritur që të ulen temperaturat.

Që nga 4 tetori, banorët e 26 lagjeve në Prishtinë dhe të zonave përreth kanë mbetur pa ujë të pijes pasi u konstatua se niveli i manganit në Liqenin e Badocit është shumë i lartë.

Në një intervistë në “60 Minuta” të KTV-së, Nushi-Latifi u shpreh se të gjitha resurset që përdoren për ujë të pijes në Kosovë e kanë infrastrukturën për ta ulur nivelin e manganit, përveç ai i Badocit. Fenomeni i manganit, sipas saj, ndodh sa herë që ka ndërrim të stinëve.

“Fenomeni i manganit po ndodh tash e disa vjet në Liqenin e Badocit. Vjet dhe sivjet kemi pasur telashe më të mëdha si rezultat i ndryshimeve klimatike. Këto temperatura të larta në tetor dhe nëntor nuk e lejojnë m’u kry procesi normal natyror i qarkullimit të ujit në trupin e liqenit. Mangani dyvalent rritet, ndërsa katërvalenti bie poshtë dhe dyvalentshi tretet në ujë dhe vjen deri te rubinetet tona. Zakonisht kjo ndodh në sezonin vjeshtë/dimër. Liqenet që janë të dedikuara si resurs i ujit të pijshëm duhet ta kenë infrastrukturën e vet apo teknikisht të realizueshme, në mënyrë që të ndërrohet pika e thithjes nga liqeni. Këtë nuk e ka Badoci. Mangani është fenomen natyror që ndodh në ndërrimet sezonale në ujëra sipërfaqësorë. Tani për tani Badoci nuk ka mundësi ta lëvizë pikën e thithjes”, ka thënë ajo.

Nushi-Latifi ka thënë se pa u ulur temperaturat dhe të bie shi, nuk pritet të përmirësohet niveli i manganit në Badoc.  

“Sikur të kishte qenë koha më e ftohtë, ndodh qarkullimi i ujit në trupin e liqenit dhe bëhet pasurimi me oksigjen i manganit. Nëse flas si profesioniste, nuk e di (kur do të jetë i pijshëm uji në Badoc). Sipas të dhënave meteorologjike, nuk do të ketë ndërrime të mëdha temperaturash”, ka shtuar ajo.

Ndonëse mangani është mineral që konsiderohet si lëndë ushqyese dhe kontribuon në shumë funksione trupore, prania e tij në sasi më të lartë sesa ajo e lejuar mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore dhe të ketë ndikim në sistemin nervor qendror të njeriut.