Arbëri

Ngjela: Propozimi për shtetin bektashi është naivitet, Rama shkon në burg

Spartak Ngjela

Avokati nga Shqipëria, Spartak Ngjela, ka thënë se propozimi për shtetin bektashi brenda Shqipërisë është naivitet, për të cilin kryeministri Edi Rama mund të shkojë në burg.

Në një lidhje direkte në emisionin “Konfront” në KTV, Ngjela ka thënë se Kushtetuta e Shqipërisë nuk e lejon krijimin e një shteti brenda shtetit. 

Sipas tij, një ide e tillë nuk është vetëm shkelje e rëndë e Kushtetutës, por edhe krim i madh antikombëtar. 

“Është një nonsens, naivitet, nuk e lë Kushtetuta shqiptare, në nenin 1 të Kushtetutës thuhet se Shqipëria është shtet unik. Nuk ka mundësi të krijohet shtet brenda shtetit në Shqipëri. Është një naivitet akushtetues. Nuk e lejon Kushtetuta, por nuk e lejon as filozofia e shtetit shqiptar. Është shkelje e Kushtetutës, shkelen disa nene, por kryesorja neni 1 i saj. Nuk mund të shkojë në Parlament, nuk e lejon Kushtetuta. Nëse e bëjnë atë, ikin në burg. I arreston SPAK-u, kot lodhemi. SPAK-u është pushteti gjyqësor këtu, e arreston në moment. Kjo është shkelje e rëndë e Kushtetutës, krim i madh antikombëtar. Nëse e bëjnë atë, e arrestojnë në vend”, ka thënë ai. 


Gjinovci "mbron" idenë për shtetin bektashi: Mund të bëhet edhe për çështje turizmi

Opinionisti Rron Gjinovci e sheh pozitiv propozimin e kryeministrit të Shqipërisë për krijimin e një shteti bektashi.

Sipas tij, ndërtimi i këtij shteti do të ndikonte në turizëm.

“Mua po më pëlqen ideja nëse nuk është për t’ua imponuar njerëzve, por nëse është vullnet i njerëzve. Është diçka shumë specifike që ndodhet në Shqipëri, Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve, është interesant. Pse mos me investu Shqipëria ende në atë drejtim, me bë më interesant për botën, kur vinë turistët shkojnë me pa. Unë kur kam shku në Itali kam pas qejf me shku edhe në San Marino. San Marino nuk është kurrgjë, praktikisht nuk ekziston, është një kështjellë qaty, por më dukej interesant me shku me hy në një shtet tjetër. Aspekti turistik”.


Shala: Rama, me shtetin bektashi, synon ta lërë islamin tradicional në hije

Historiani Azdren Shala mendon se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po tenton që ta lë islamin “tradicional” nën hije me idenë e tij për ndërtimin e një shteti bektashi brenda Tiranës.

Kjo, sipas tij, mund të shkaktojë përçarje.

“Rama po do që ta lë islamin tradicional nën hije me këtë. Ka një reagim të Bashkësisë Islame në Shqipëri dhe këtu e vë theksin. Rama lë me kuptu këtë, demek ky është versioni më liberal, më modern i islamit. Kjo e irriton komunitetin islam suni atje kur ia prezanton këta si më moderne”, ka thënë ai.


Ondozi: Kjo që ka propozuar Rama nuk më habit, pritet nga liderët autoritarë

Përkthyesi Qerim Ondozi ka thënë se nuk është për t’u habitur propozimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që të krijohet një shtet i ri mysliman në Tiranë. 

Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Ondozi ka thënë se gjithçka mund të pritet nga liderët autoritarë.

Ai ka shtuar se e çuditshme është se si udhëheqësi i bektashinjve Baba Mondi, mund të pajtohet me këtë ide. 

“Të them të drejtën, mua nuk më befason shumë Edi Rama, më duket i hareshëm dhe interesant, nuk më befason shumë sepse është karakteristikë e të gjithë liderëve të Ballkanit për fat të keq. Kemi liderë autokratikë, kemi pushtetarë që në një teren shoqërish të pazhvilluara, apo në zhvillim, siç jemi ne shqiptarët, apo siç janë boshnjakët, maqedonët, serbët, etj, liderët autoritarë kanë shumë fuqi të bëjnë dhe propozojnë gjëra absurde dhe qesharake, me të cilat e ushqejnë megalomaninë e tyre. Nuk më befason shumë Edi Rama, sa më befason Baba Mondi (udhëheqësi i bektashinjve). Unë mund ta dekonspiroj Ramën, por jo Baba Mondin. Si mund të pajtohet një lider shpirtëror, një udhëheqës shpirtëror i Bektashizmit të pranojë një flirt të tillë me pushtetin. Kjo është enigmë për mua, jo Rama. E re për mua është fakti që Baba Mondi pajtohet me idenë, joshet nga ideja dhe i pëlqen ideja”, ka thënë ai. 


Nurellari: Paralajmërimi i Ramës për shtetin bektashi, skandaloz e tradhti ndaj vendit

Politologu Adri Nurellari e quan absurde dhe të parealizueshëm propozimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për ndërtimin e një shteti bektashi brenda Tiranës.

Ai ka thënë se dëmi i një propozimi të tillë është i jashtëzakonshëm.

“Është një absurditet i jashtëzakonshëm që kryeministri i një vendi të propozojë secesion dhe të cenoj Kushtetutën që e ka që në fillime. Më e rëndë është që propozohet në mënyrë të njëanshme të privilegjohet një komunitet fetar ndërkohë që Shqipëria ka pasur gjithmonë ekuilibra historikë për t’u kujdesur për bilancin mes grupeve të ndryshme. Alarmuese është se çfarë mesazhi, edhe për shaka, sepse mendoj se kjo është përpjekje e Ramës për të devijuar vëmendjen nga një seri artikujsh që ka vënë në pah aferat korruptive dhe për të larguar vëmendjen nga SPAK-u dhe procese gjyqësore që po prekin njerëzit e tij të afërt”, ka theksuar ai në “Konfront”.

Nurellari ka shtuar se ideja për ta ndërtuar një shtet të stilit të Vatikanit për bektashinjtë në Tiranë është e pamundur nga të gjitha aspektet.

“Dëmi është i jashtëzakonshëm të propozohet ndërtimi i një shteti teokratik mysliman në zemër të Evropës. Është qesharak dhe i vë njollë Shqipërisë sepse e nxjerr Shqipërinë si vend që ka tendenca. Por është e pamundur që të bëhet në të gjitha aspektet. Është qesharake të mendohet të ndryshohet Kushtetuta për secesion sepse është secesion. Ky është akt i pastër që mund të përkufizohet edhe tradhti ndaj vendit”.