Pas dëshmisë së Fadi Gecit në Speciale dëshminë e filloi Nuredin Ibishi, ish-komandant i brigadës 151 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ibishi tha se i raportonte komandantit të zonës, Rrustem Mustafa dhe zëvëndëskomandantit Kadri Kastrati. E kur u pyet për një dokument që përshkruante pozicionimin e forcave të UÇK-së në Zonën Operative të Llapit, ai tha se nuk e ka parë atë.
Ish-komandanti i Brigadës 151 në Llap, Nuredin Ibishi, i njohur si komandant Leka, ka nisur të dëshmojë në rastin ku ish-krerët e UÇK-së po gjykohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Zyra e Prokurorit të Specializuar e cila gjatë këtij procesi synon ta vërtetojë ekzistimin e hierarkisë që shtrihet nga shtabi i përgjithshëm deri te komandat më të ulëta, ia shfaqi atij një raport nga Zona Operative e Llapit drejtuar këtij shtabi.
Në pyetjen e prokurores Sylvia D’Ascoli, Ibishi tha se nuk e ka parë këtë dokument që përshkruante pozicionet e luftëtarëve e cila mban datën 18 dhjetor 1998.
“Jo, këtë nuk e kam parë...Në këtë pozicionim, pasi jemi pozicionuar në vijën e parë buzë magjistrales nga gryka e Majacit deri në Kërpimeh gati atje, vetëm ndërron emërtimi. Tash jemi brigada jo 151, por 152 në këtë pozicion...Emrin e njëjtë, me personel të njëjtë, vetëm u ndryshua numri në emër të brigadës, 151-shi u bë 152 dhe 152-shi u bë 151”, theksoi Ibishi.
Ibishi po ashtu ka thënë se disa dokumente janë dhënë nga pala serbe e që po përdoren si dëshmi.
Megjithatë, ai e konfirmoi se mbi çështjet e pozicionimit të ushtarëve ai i raportonte komandantit Rrustem Mustafa – Remit dhe zëvendëskomandantit Kadri Kastrati – Dajës.
“A i keni dërguar ndonjë informacion lidhur me pozicionin e brigadës suaj komandës së Zonës së Llapit, e kam fjalën për dhjetorin e 98-s dhe lidhur me raportimin që ka të bëjë me zonën”, pyeti prokurorja e ZPS-së Silvia D’Ascoli.
“Përherë e kam bërë dërgimin e planit të luftës me hartë topografike, njëkohësisht edhe me përshkrimim e pozicionit, të armatimit dhe të numrit të ushtarëve. Ja kam dërguar komandës, pasi që ende s’kemi pasur shtab në atë kohë, por komandë të zonës në Llapashticë. Por, këtu unë po shoh një raport që i dedikohet shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, sektorit operativ dhe përshkruan komplet pozicionimin e dy brigadave me sa shoh unë edhe të brigadës 151 edhe 152...I kam dërguar në komandë të zonës. I është dedikuar komandant Remit apo Dajës. Zakonisht çështjet që ka pasur kështu operacioninale, zakonisht komandant Dajës pasi ai ishte bashkë me mua si anëtar i sektorit të operativës”, u përgjigj Ibishi.
Prokuroria e pyeti dëshmitarin Ibishi për një vendim për masë disiplinore për ndalim të një pjesëtari të UÇK-së për një periudhë tri ditore.
Ai tha se këtë vendosi ta bëjë, meqë personi që e dënoi nuk e plotësoi obligimin për të bërë rojë dhe i rrezikoi ushtarët e tjerë duke e shpërthyer në mënyrë të shkujdesur një mjet shpërthyes.
Tha se masa u ndërmor meqë me këtë veprim u rrezikuan 40 bashkëluftëtarë.
