Nuredin Ibishi, i njohur me nofkën “Komandant Leka”, të mërkurën ka nisur dëshminë në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Seanca ndaj Ibishit u mbyll për publikun pesë minuta pasi nisi.
Gjatë pjesës së hapur të seancës Ibishi tha se si pjesëtar i UÇK-së e mbajti Leka. Ai konfirmoi deklaratat paraprake në Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe dëshminë e tij para Gjykatës Themelore në Prishtinë në rastin në të cilin Latif Gashi, komandant në Zonën Operative të Llapit, u dënua për krime lufte.
"Nuredin Ibishi është ish-pjesëtar i UÇK-së i cili ka vepruar në Zonën Operative të Llapit. Është kyçur në UÇK në qershor të ‘98-ës ka marrë pjesë në rekrutimin dhe në trajnimin e stërvitjen e ushtarëve të UÇK-së dhe e ka pasur qendrën në Bajgorë, në periudhën nga gushti deri në shtator të ’98-ës. Ai ka pasur role të ndryshme duke filluar nga komandant brigade, i Brigadës 151 të UÇK-së dhe shef shtabi i Zonës Operative të Llapit, post që e ka mbajtur që prej dhjetorit të 98-ës", ka thënë prokurorja Silvia D’Ascoli.
Sipas Gjykatës Speciale, dëshmia e Ibishit pritet të zgjasë një apo dy ditë.
Para tij dëshmoi Fadil Geci.
Ibishi ka qenë dëshmitar edhe në gjykimin ndaj Salih Mustafës.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Nuredin Ibishi thotë se nuk e ka parë raportin për pozicionet drejtuar Shtabit të Përgjithshëm
Ish-komandanti i Brigadës 151 në Llap, Nuredin Ibishi, i njohur si komandant Leka, ka nisur të dëshmojë në rastin ku ish-krerët e UÇK-së po gjykohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Zyra e Prokurorit të Specializuar e cila gjatë këtij procesi synon ta vërtetojë ekzistimin e hierarkisë që shtrihet nga shtabi i përgjithshëm deri te komandat më të ulëta, ia shfaqi atij një raport nga Zona Operative e Llapit drejtuar këtij shtabi.
Në pyetjen e prokurores Sylvia D’Ascoli, Ibishi tha se nuk e ka parë këtë dokument që përshkruante pozicionet e luftëtarëve e cila mban datën 18 dhjetor 1998.
“Jo, këtë nuk e kam parë...Në këtë pozicionim, pasi jemi pozicionuar në vijën e parë buzë magjistrales nga gryka e Majacit deri në Kërpimeh gati atje, vetëm ndërron emërtimi. Tash jemi brigada jo 151, por 152 në këtë pozicion...Emrin e njëjtë, me personel të njëjtë, vetëm u ndryshua numri në emër të brigadës, 151-shi u bë 152 dhe 152-shi u bë 151”, theksoi Ibishi.
Ibishi po ashtu ka thënë se disa dokumente janë dhënë nga pala serbe e që po përdoren si dëshmi.
Megjithatë, ai e konfirmoi se mbi çështjet e pozicionimit të ushtarëve ai i raportonte komandantit Rrustem Mustafa – Remit dhe zëvendëskomandantit Kadri Kastrati – Dajës.
“A i keni dërguar ndonjë informacion lidhur me pozicionin e brigadës suaj komandës së Zonës së Llapit, e kam fjalën për dhjetorin e 98-s dhe lidhur me raportimin që ka të bëjë me zonën”, pyeti prokurorja e ZPS-së Silvia D’Ascoli.
“Përherë e kam bërë dërgimin e planit të luftës me hartë topografike, njëkohësisht edhe me përshkrimim e pozicionit, të armatimit dhe të numrit të ushtarëve. Ja kam dërguar komandës, pasi që ende s’kemi pasur shtab në atë kohë, por komandë të zonës në Llapashticë. Por, këtu unë po shoh një raport që i dedikohet shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, sektorit operativ dhe përshkruan komplet pozicionimin e dy brigadave me sa shoh unë edhe të brigadës 151 edhe 152...I kam dërguar në komandë të zonës. I është dedikuar komandant Remit apo Dajës. Zakonisht çështjet që ka pasur kështu operacioninale, zakonisht komandant Dajës pasi ai ishte bashkë me mua si anëtar i sektorit të operativës”, u përgjigj Ibishi.
Prokuroria e pyeti dëshmitarin Ibishi për një vendim për masë disiplinore për ndalim të një pjesëtari të UÇK-së për një periudhë tri ditore.
Ai tha se këtë vendosi ta bëjë, meqë personi që e dënoi nuk e plotësoi obligimin për të bërë rojë dhe i rrezikoi ushtarët e tjerë duke e shpërthyer në mënyrë të shkujdesur një mjet shpërthyes.
Tha se masa u ndërmor meqë me këtë veprim u rrezikuan 40 bashkëluftëtarë.