Arbëri

Numërimi i votave me postë përfundon të martën

Të martën pritet të përfundojë numërimi i votave me postë, derisa nga KQZ-ja thonë se janë duke punuar që rezultatet përfundimtare të shpallen gjatë kësaj jave. E gjatë ditës së hënë, përveç komisionerëve, vëzhguesve e zyrtarëve të tjerë të KQZ-së, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve kanë qëndruar edhe përfaqësues të Panelit për Ankesa dhe Parashtresa

Në javën e katërt ka hyrë procesi i numërimit të votave nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Derisa numërimi i votave të rregullta e verifikimi i tyre kanë përfunduar, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i atyre të ardhura me postë. 

Deri në orën 19:00 të së hënës janë numëruar 145 nga 187 kutitë me fletëvotime nga votimi me postë.

“Aktualisht, në proces të numërimit janë fletëvotime të ndara në kuti të votimit nga komunat Vushtrri, Junik, Ferizaj, Prizren, Shtime dhe Suharekë”, thuhet në njoftimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pasditen e së hënës.

Në KQZ presin që këto vendvotime të përmbyllen deri të martën, e kësisoj të vazhdohet me numërimin e mbi 15 mijë votave me kusht e të personave me nevoja të veçanta. 

“KQZ-ja është duke u munduar maksimalisht që të arrijë sa më shpejt të shpallë rezultatet përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë, çdoherë e kemi thënë që e rëndësishme është që çdo votë të numërohet me saktësi dhe do të ndiqen të gjitha procedurat e parapara ligjore”, ka thënë zëdhënësi Valmir Elezi.

Të hënën, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë parë edhe zyrtarë të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Sipas informacioneve, ata kanë marrë informata në lidhje me fletëvotimet e pavlefshme në 11 vendvotime.

Zëdhënësi Elezi ka thënë se vizitat e tilla janë në domenin e punës së tyre në shqyrtimin e ankesave eventuale për procesin. 

“Siç e dini çdo proces i cili ndodh në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, apo çdo administrim numërimi që ndodh në QNR është i ankimueshëm në PZAP dhe ky institucion duke u mbështetur edhe në ligj mund të vijë dhe të shohë gjendjen për ndonjë ankesë eventuale, e cila është paraqitur në ndonjë institucion”, ka thënë ai, në një deklarim për media të hënën.

Nga procesimi i të dhënave të numërimit të votave me postë, në orët e pasdites të së hënës, Lëvizja Vetëvendosje prin me 24 mijë e 507 sosh, e pasuar nga LDK-ja me 13 mijë e 742 vota, PDK-ja me 4.560 vota dhe AAK-ja me 1.438 vota.

E nga përfundimi i numërimit të votave nga procesi i zhvilluar në përfaqësi diplomatike, Lëvizja Vetëvendosje mori 12 mijë e 261 vota, PDK-ja 1 mijë e 175, LDK-ja 1.109 e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 299.

Ndërkaq nga votimi i zhvilluar në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 345 mijë e 602 vota, PDK-ja 186 mijë e 203, LDK-ja 149 mijë e 75 e AAK-ja 63 mijë e 34.