Lëvizja Vetëvendosje ka mbërritur në mbi 28 mijë vota nga procesi i numërimit të votave me postë prej mërgatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, duke vazhduar trendin e mbi 50 për qind të votave.
Aktualisht nga procesimi i 90.37 për qind e vendvotimeve apo 169 nga 187, LVV-ja ka marrë 51.7 për qind të votave.
Lidhja Demokratike e Kosovës, që në votat në vendvotimet në Kosovë doli e treta, në këto rezultate të votave me postë është e dyta me 30.15 për qind apo mbi 16 mijë e 600 vota, duke ikur larg Partisë Demokratike që ka rënë e treta me 5266 vota apo 9.52 për qind.
Koalicioni AAK-NISMA i ka 3.09 për qind të votave apo 1707 vota.

Me rezultatet aktuale, duke përfshirë vendvotimet në Kosovë, ato nga përfaqësitë diplomatike dhe votat me postë, LVV-ja do t’i marrë 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës. PDK-ja do t’i ketë 24, ndërsa LDK-ja 20. Koalicioni AAK-Nisma aktualisht ka tetë ulëse.
Sot pritet përfundimi i numërimit të votave me postë, ndërsa pritet të nisë ai i votave me kusht dhe të personave me aftësi të kufizuara.
Procesi i numërimit ka hyrë në javën e katërt.