Anëtarët e komisionit parlamentar për të drejta të njeriut, në mbledhjen e së mërkurës vendosen që të thërrasin për raportim përfaqësues të Ministrisë së Financave për të kërkuar llogari rreth mos miratimit të rregullores për personat paraplegjik e tetraplegjik të premtuar në fillim vit. Në këtë ministri patën premtuar që këta persona do u nënshtrohen për vlerësim vetëm një komisioni, e jo siç është tash dy komisioneve. Ligjvënëset kritikuan këtë dikaster edhe për mungesë transparence
Personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë edhe në qershor i janë nënshtruar procesit të rivlerësimit në dy komisione mjekësore, fundi i të cilave është paralajmërua se do të ndodh qysh në janar.
Gjashtë muaj prej kur përfaqësues të Ministrisë së Financave u zotuan në Komisionin për të Drejta të Njeriut se do të hiqet rivlerësimi në dy komisione, ky trup parlamentar të mërkurën vendosi që pas dy javësh t’i ftojë ata përsëri për t’ju kërkuar llogari.
Kryetarja e komisionit, Duda Balje, tha se ka kërkuar disa herë sqarime nga Ministria e Financave, por se nuk ka marrë përgjigje.
“Ne veç mund të bëjmë presion për të marrë informata, qysh është gjendja. Non-stop jemi në kontakt, praktikisht, por asnjë feedback prej atyre nuk kemi pas, a kanë bërë ndonjë gjë konkrete. Kjo është arsyeja pse unë po dua tash prapë ta aktivizojë temën dhe prapë të bisedojmë”, ka thënë deputetja Balje. “Nëse Qeveria nuk ka bërë ndonjë hap konkret, ne kemi të drejtë me nënshkrimin e deputetëve të iniciojmë ligjin edhe këtu në kuvend”.
Edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, që është kryetare e Komisionit parlamentar për Shëndetësi, tha se nuk ka ndonjë informacion se në çfarë faze ndodhet rregullorja.
Ajo tha se ekziston vullneti për ndryshim edhe në partinë në pushtet.
“Kjo informatë është marrë edhe asokohe nga zëvendësministri i Financave. Ne tani kemi vendosë që t’i thërrasim për takim edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Financave, të shohim çfarë po ndodhë lidhur me këtë vendimmarrje, por edhe të shohim për mundësitë e zgjerimit të përfituesve”, ka thënë Kollçaku.
Prej muajsh, Ministria e Financave nuk u ka kthyer përgjigje pyetjeve të KOHËS, përkitazi me këtë çështje.
Sqarime të pakta ka dhënë gjatë javës së kaluar, tek pas ankesës që ka bërë KOHA në muajin mars në Agjencinë për Informim dhe Privatësi, ku ndër tjerash, është kërkuar qasje edhe në draftin e rregullores.
Derisa fillimisht ishte premtuar miratimi i saj në janar, në këto përgjigje të Ministrisë thuhet se projekt rregullorja është në fazën përfundimtare.
“Arsyet e vonesës kanë qenë nevoja për shqyrtime dhe analiza shtesë lidhur me komentet e ‘’HANDIKOS’’. Projekt Rregullorja, që është ndarë edhe me ‘’HANDIKOS’’, ka përvetësuar një metodologji të vlerësimit të ndarë kategorisë paraplegjik, në njërën anë, dhe tetraplegjik në anën tjetër, si dhe një regjim të kohëzgjatjes së përfitimeve bazuar në këtë kategorizim. Komentet e pranuar nga ‘’HANDIKOS’’, kanë kërkuar përpunim të mëtejmë të këtij kategorizimi. Pas pranimit të komenteve të para, kemi bërë analiza shtesë dhe kemi mbajtur edhe takim shtesë me ‘’HANDIKOS’’.
Së fundi, kemi një përafrim të madh me shoqatën në fjalë dhe shpresojmë që për pak javë të kemi të aprovuar Projekt Rregulloren në Qeverinë e Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave.
Edhe në shoqatën “Handikos”, kanë thënë se rregullorja tanimë është në finalizim.
“Rregullorja është finalizuar, ka mbetur edhe finalizim i një mjeti vlerësues të cilin ua kam dërguar e që komisioni mjekësor kanë me e përdor për vlerësimin e personave. Por, ai besoj se kryhet lehtë dhe shpejtë, mirëpo rregullorja duhet të marr nënshkrimin në Qeveri”, ka thënë drejtori i shoqatës, Afrim Maliqi.
KOHA ka raportuar në vazhdimësi për dallimet në vlerësim dhe në kategorizimin nëpër grupe, të personave me aftësi të kufizuara nga të dy komisionet, njëri në QKUK dhe tjetri në Ministrinë e Financave, që për pasojë kishte mohimin e kujdestarit personal e disa mjeteve financiare.