Përfaqësues të komunitetit LGBTIQ+ janë ankuar për pengesat e vëna në iniciativën për ndërtimin e një strehimoreje për personat e këtij komuniteti që përjetojnë dhunë në familje. Sipas drejtorit të Qendrës për Barazi dhe Liri, nisma ka mbetur e bllokuar prej katër vitesh, meqë Komuna nuk ka ofruar një hapësirë të përshtatshme ku duhet ngritur objekti
Ndërtimi i një strehimoreje për pjesëtarë të komunitetit LGBTIQ+ që përjetojnë dhunë në familje, është kërkuar gjatë tryezës së organizuar nga platforma “Dylberizmi”.
Drejtori i Qendrës për Barazi dhe Liri, Blert Morina, theksoi rëndësinë e ndërtimit të strehimores.
“Nuk po mund t’i inkurajojmë për të raportuar rastet, duke e ditur që ata persona në fund të ditës do të detyrohen të kthehen në ato familje që janë abuzive”, ka thënë Morina.
Morina thotë se strehimorja nuk është ndërtuar, ndonëse prej katër vjetësh Komuna e Prishtinës ka ndarë buxhet.
“Ka qenë e paraparë edhe hapësira të ndahet. Ku ka çaluar? Kjo është një përgjigje që me të vërtetë edhe për ne është e paqartë, në kuptimin që tash po e shohim që jemi bërë si një lloj topi i ping-pongut që herë gjuhemi te Ministria e herë gjuhemi te Komuna”, ka shtuar tutje ai.
Në këtë tryezë munguan zyrtarë të Komunës së Prishtinës, që ishin të ftuar.
Ndërsa, Nazlie Balaj, këshilltare politike e ministres së Drejtësisë, tha se përgjegjësi e dikasterit qeveritar që i përket është vetëm mbështetja financiare, por jo edhe dhënia e objekteve në shfrytëzim.
“Është obligim, detyrë dhe përgjegjësi e Komunës së Prishtinës, ashtu siç është ndarë buxheti me vlerë të 300 mijë eurove edhe parcela e cila është ofruar, e di që është refuzuar kjo parcelë për shkaqe të sigurisë dhe është kërkuar një parcelë brenda përbrenda perimetrit të sigurisë në Prishtinë”, ka thënë Balaj.
Shefja e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Mary Ann Hennessey, u kërkoi autoriteteve që sa më shpejt të gjejnë zgjidhje.
“Unë jam këtu për gati 10 muaj. Kur kam arritur në mars, kisha përshtypjen që kjo do të ndodhte, me disa ndërhyrje të vogla teknike, por unë tani mund të shoh që absolutisht nuk ka ndryshim të situatës 10 muaj më vonë. Vetëm fjalë dhe premtime”, ka thënë ajo.
Në vitin 2020, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka ndarë buxhet për ndërtimin e strehimores për personat LGBTIQ+.