Këshilli i Evropës

Nuk shprehen pritje që Komiteti i Ministrave ta largojë kushtin për Asociacionin

Kalkulim zgjedhor është parë edhe refuzimi i Qeverisë për ta dërguar në Kushtetuese draftstatutin për Asociacionin, të propozuar nga BE-ja. Njohës të çështjeve politike vlerësojnë se Komiteti i Ministrave nuk pritet ta largojë kushtin që ka për Kosovën rreth anëtarësimit në Këshill të Evropës.

Kushti për dërgimin e draftstatutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese në këmbim të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës nuk do të hiqet, konstatojnë juristë e politologë.

Politologu Altin Gjeta thotë se nuk ka gjasa që Këshilli ta largojë kushtin, meqë vlerëson se perëndimi ka investuar shumë në pikën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Kjo varet të paktën nga dy komponentë të tjera. Së pari nga vullneti i Qeverisë së Kosovës për ta paraqitur draft-statutin e BE-së në Gjykatë Kushtetuese i cili besoj se mungon për shkak se Qeveria Kurti në këto momente gjykoj se po mendon në terma elektoral. Pra po blen kohë në mënyrë që të paraqitet në zgjedhjet e ardhshme me një platformë e cila e përjashton themelimin e Asociacionit ose të paktën e ka shmangur deri më tash, i cili ka qenë ndër kuajt e betejës së zotit Kurti në opozitë”, tha Gjeta. 

Se ky kusht mund të largohet është skeptik edhe profesori i juridikut, Flamur Hyseni. 

Ai thotë se anëtarësimi në Këshill është çështje shumë serioze dhe kërkon qasje të tillë nga Qeveria dhe jo neglizhencë e konfuzion. 

“Qeveria dhe institucionet e tjera përkatëse shpesh kanë iluzione se vetëm ne kemi miq evropianë dhe amerikanë, ndërsa harrohet fakti që lobimi serb është shumë i fuqishëm në këto procese në dëm të Kosovës. Ngecja e procesit dialogues sidomos për çështjen e Asociacionit e ka krijuar si kusht me karakter politik, lidhur me anëtarësimin në KiE, dhe tani ky është kusht, që nuk besoj se do të tërhiqet për momentin”, tha profesori Hyseni. 

E njohësi i çështjeve politike, Akri Çipa, thotë se kushti për Asociacionin, nuk është kriter bazë, por thekson se ecjen përpara në këtë situatë e vështirëson degradimi i komunikimit të institucioneve të Kosovës me partnerët ndërkombëtarë.

“Nuk ndërlidhet kurrsesi me kriteret bazë të përfshirjes së një vendi në Këshill të Evropës. Ose qoftë edhe me ato elemente apo parakushte të cilat janë diskutuar më herët dhe vendosur si të tilla për shkak të vetë natyrës së këtij institucioni. Ky vendim politik për fat të keq vjen në mënyrë të dëmshme për Kosovën”, tha Çipa. 

Para mbledhjes së Komitetit të Ministrave, Qeveria dha zotim për ta përcjellë në Kushtetuese një draftstatut që do ta hartojë vetë, por jo atë të propozuar nga BE-ja. Pasi Kosova nuk u përfshi në agjendë, Qeveria tërhoqi zotimin.